Arrestohet në Hungari i dyshuari për dhunim gjatë luftës në Kosovë

Gjykata komunale në Budapest ka urdhëruar të martën paraburgimin për një shtetas serb të dyshuar për krime lufte të kryera ndaj civilëve gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, raporton Daily News Hungary.

Agjencia nuk e ka bërë të ditur identitetin e të arrestuarit.

Autoritetet e gjykatës thanë se ndaj këtij të dyshuari, autoritetet kosovare kanë lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar.

I arrestuari është I dyshuar për rrahje dhe dhunim të një gruaje shtatzënë në fshatin Videjë të Klinës në qershor të vitit 1999.

Agjencia e lajmeve raporton se i dyshuari nuk është pajtuar me një procedurë të thjeshtuar ekstradimi duke bërë që gjykata të urdhërojë ndalimin e tij për 40 ditë. Gjykata do t’i vlerësojë kushtet për ekstradimin e tij sapo ta marrë kërkesën e plotë për ekstradim.