Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

Ferizajasit përfshihen në debat për ekskursionin e maturantëve

Maturantët e Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj disa ditë më parë kanë protestuar për të kundërshtuar shtyrjen e ekskursionit në Shqipëri.

Edhe përkundër pakënaqësive të maturantëve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt nuk do të tërhiqet nga vendimi që vizita në Shqipëri të realizohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Këtë e bëri të ditur për KALLXO.com DKA-ja e kësaj komune, e cila thotë se vendimi është marrë pas raportimeve për devijim të qëllimit të ekskursionit.

“Referuar takimit që kemi pasur me drejtorët e shkollave të mesme të Komunës së Ferizajt, Këshillin e Prindërve si dhe këshillet e profesorëve kemi marr sugjerimet e tyre, kërkesën e tyre që të shtyhet ekskursioni për pranverën e vitit të ardhshëm, kohë kjo e përshtatshme për ta ri dimensionuar  këtë aktivitet si dhe për t’i dhënë kuptimin për të cilin mbahet.  Ky veprim i yni vjen pas raportimeve për zhvillimin e dukurive devijante gjatë këtyre ekskursioneve dhe keqpërdorimeve që kanë ngjarë në të kaluarën. Pra, shtyrja do të shërbej që ta rimendojmë dhe organizojmë sipas qëllimit që ka ky ekskursion”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit.

DKA-ja e kësaj komune thekson se ka mundësi që vizita e nxënësve në Shqipëri të anulohet plotësisht.

“Nxënësit kanë të drejtën e reagimit të garantuar si liri qytetare, por se ka dyshime të bazuara se këto reagime janë të orkestruara dhe të nxitura nga grupe të caktuara të interesit. Reagimi i tyre dhe mos argumentimi i kërkesës së tyre nuk e zbraz qëndrimin, vendimin që të shtyhet ky ekskursion. Madje një veprim i tillë nga autoritete lokale ka nxitur reagime pozitive nga prindër dhe mësimdhënës duke  vlerësuar se ky veprim duhet të shkojë deri në anulimin e plotë të këtij aktiviteti”, shton drejtoria për KALLXO.com.

Tema e maturantëve ka ngjallur reagimin edhe të ish-kryetarit të Ferizajt nga radhët e LDK-së, Muharrem Sfarqa, i cili vendimin e ka quajtur të padrejtë.

“Pushteti i Agim Aliut, me vendim të imponuar përmes këshillit të prindërve, pa asnjë paralajmërim paraprak, maturantët ferizajas i ka privuar nga e drejta e ekskursionit në Shqipëri. Ai, madje, nuk ka bërë publike as shkakun e as motivin që e ka shtyrë ta marrë këtë vendim.  Për LDK-në e Ferizajt dhe për komisionin e saj për arsim, ky vendim është i padrejtë”, kishte shkruar Sfarqa ditë më parë në Facebook.

Sipas tij, në pranverë nxënësit duhet të përgatiten për testin e maturës, por edhe për mbrëmjet e maturës, “prandaj kostoja do të jetë shumë më e lartë nëse në këtë kohë realizohen edhe ekskursionet”, vlerëson ai.

Në anën tjetër, Valmir Gashi këshilltar i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, tha për KALLXO.com se ekskursionet e nxënësve maturantë  janë të rregulluara me Udhëzim Administrativ.

“Në bazë të udhëzimit, për organizimin e ekskursionit merr vendim Këshilli drejtues i shkollës, pasi të ketë marrë pëlqimin e prindërve dhe këshillit të nxënësve. Ekskursionet duhet të planifikohen në planin zhvillimor të shkollës dhe mund të realizohen në fillim të vitit shkollor (shtator-tetor) ose ne fund te vitit shkollor (prill-maj)”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Gashit në bazë të udhëzimit, MASHT-i emëron një komision që bën monitorimin e ekskursioneve dhe për këtë i raporton sekretarit.

“Gjithashtu, DKA-të dhe shkollat janë të obliguara që 10 ditë para realizimit të ekskursionit të njoftojnë me shkrim departamentin përkatës në MAShT”, thekson këshilltari i ministrit.