Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT

Provimi i maturës mbahet më 24 qershor

Provimi i maturës shtetërore do të mbahet në 178 qendra të testimit të shtunën, më 24 qershor, në orën 10.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master).

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Telefoni është rreptësisht i ndaluar dhe Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

MASHTI thotë se është e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsie të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI.

Ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, MASHTI thotë se do të kërkohet përgjegjësi.

Sipas ministrisë, Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 3 korrik.