Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT

Ekspertët: Pandemia ndikoi për të keq në rezultatet e Testit të Maturës

Rreth 26 mijë maturantë të Kosovës i janë nënshtruar këtë vit afatit të parë të Provimit Shtetëror të Maturës por, sipas ekspertëve, pandemia e COVID-19 ka ndikuar që ata të mos kenë rezultate të mira në këtë testim.

Në këtë afat kalueshmëria e këtij testi ka qenë 67.44% apo më saktësisht vetëm 17,105 nxënës e kanë kaluar Testin e Maturës, ndërsa për 8, 257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i këtij testi.

Në krahasim me vitin e kaluar, kalueshmëria ka qenë 64.64%, por, këtë vit ky testim nuk ishte njësoj si në vitet e kaluara, pasi që pandemia ka bërë që Ministria e Arsimit të ndryshojë formën e mbajtjes së testimit si dhe numri i pyetjeve është përgjysmuar.

Në një klasë këtë vit kanë qenë 12 nxënës duke respektuar distancën, sipas rekomandimeve të institucioneve të Kosovës si dhe testi ka pasur vetëm 100 pyetje dhe testimi është mbajtur vetëm një ditë në të gjitha komunat.

Sidoqoftë, një gjë që ka mbetur e njëjtë është ‘avazi’ i vjetër i kopjimit në këtë test.  Kopjimi dhe shpërndarja online e Testit të Maturës në rrjetet sociale mbeten edhe më tej një nga problemet më të mëdha në këtë proces, që për shumë vite me radhë e ka karakterizuar këtë testim.

Nxënësit edhe këtë vit kishin krijuar një grup në rrjetin social Facebook, të titulluar “Testi i Maturës 2020”, ku kërkonin ndihmë nga njëri-tjetri, duke postuar foto të testit për shumë lëndë të ndryshme.

Për këtë arsye, nga ky test Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se për 63 maturantë është anuluar Testi i Maturës, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin.

Ekspertët: Pandemia ka ndikuar negativisht tek maturantët

Rezultatet e Testit të Maturës për këtë vit, sipas Dukagjin Pupovcit, ekspert i arsimit dhe drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC), nuk duhet të krahasohen e as të paraqiten si sukses në krahasim me vitet e kaluara.

“Në afatin e parë të Maturës 2019 kalueshmëria ka qenë 64.6%, ndërsa në vitin 2018 – 56.6%, pra po del se këtë vit kemi kalueshmëri më të madhe -67.4%  Megjithatë, ky lloj krahasimi nuk është i drejtë, sepse provimi i maturës në Kosovë nuk është i standardizuar dhe ka lëshime serioze në administrim e tij. Në kushte të tilla, kompleksiteti i pyetjeve dhe cilësia e administrimit, pikërisht tolerimi i kopjimit, janë faktorë me ndikim domethënës në rezultat, prandaj  nuk mund të themi nëse nxënësit kanë qenë më të suksesshëm në vitin 2020, 2019 apo 2018”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, pandemia COVID-19 ka ndikuar për të keq tek nxënësit që i janë nënshtruar këtij testimi.

“Çdo ndërprerje ose çrregullim i procesit mësimor ndikon tek nxënësit, në një mënyrë ose tjetër. Është e pritshme që zvogëlimi i intensitetit të punës prej muajit mars, pastaj shtyrja e afatit të qershorit deri në fund të muajit gusht dhe rrethanat tjera kanë mundur të ndikojnë që arritjet e nxënësve të mos jenë të nivelit të dëshiruar, por kjo ka mundur të “kompensohet” deri në një masë me pyetje më të lehta në provim. Një gjë është e sigurt se, të gjithë nxënësit, përfshirë edhe maturantët, janë dëmtuar nga periudha e pandemisë, ka thënë më tej ai.

Ndërsa Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë se rezultatet e Testit të Maturës për këtë vit janë të ngjashme me ato të viteve paraprake.

Ai po ashtu është i mendimit se Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të rishikoj me kujdes organizimin e këtij testimi.

“Rezultatet e testit të maturës jo befasishëm janë të ngjashme me ato të viteve paraprake – shpërdorimet vazhdojnë të jenë të njëjtat dhe mungesa e llogaridhënies do ta bëj të pamundur ndryshim nga kjo situatë. Mendoj që është koha e fundit që MASH të rishikoj me kujdes dështimet ndër vite për të ofruar ndonjë zgjidhje tjetër në format tjetër që garanton rezultate të besueshme, dhe filtrim të mirëfilltë për shkollimin universitar”, ka thënë Qehaja.

Qehaja po ashtu shton se pandemia COVID-19 ka ndikuar emocionalisht tek maturantët e Kosovës.

“Pandemia ka pamundësuar arritjen e rezultateve të të nxënit të parapara për periudhën e humbur, kjo, përkundër që nuk cenon thellësisht dijen që matet nga ky testim, në mendim tim, duke ditur peshën e testit të maturë, ka ndikuar që shumë nxënës të ishin emocionalisht të papërgatitur për testim. Sikur të kishim një testim të mire organizuar me rezultate valide e njëjta do të bartej tutje edhe në rezultat. Duket sikurse gjithçka në këtë periudhë ishte kaotike, mirëpo kaosi nuk guxon të shndërrohet në padrejtësi, shpresoj shumë që dëmi që fëmijët kanë përjetuar gjatë kësaj periudhe të tejkalohet me shpejtësi”, ka shtuar më tej ai.

Mundësia e afatit të dytë

Rreth 8 mijë nxënës që nuk kanë mundur të kalojnë Provimin e Maturës Shtetërore këtë vit në afatin e parë, ata do të mund ta kalojnë në afatin e dytë që do të organizohet në tetor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dje ka bërë të ditur se ky afat është caktuar që të mbahet më 10 tetor.

Në krahasim me vitin e kaluar, në afatin e dytë, Testit të Maturës i ishin nënshtruar rreth 10 mijë nxnëës.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 është mbajtur më 29 gusht 2020, dhe i janë nënshtruar 26 mijë e 817 maturantë. Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40% e totalit të pikëve të mundshme.

Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Në Test ishin përfshirë lëndët obligative (gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vetë kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që ofrohen).

Testi ishte paraparë të mbahet më 4 korrik, por për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, ishte shtyrë për më 29 gusht.Kurse, për nxënësit që janë regjistruar në fakultetet jashtë vendit, Testi i Maturës ishte mbajtur më 10 korrik.