Provimi pranues në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Foto: KALLXO.com

Në shtatë fakultete të Universitetit të Prishtinës u mbajt provimi pranues

Rendi i gjatë i kandidatëve për studentë që prisnin për t’iu nënshtruar provimit pranues në nivelit baçelor për vitin akademik 2022/2023, kishte zënë oborrin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit të Universitetit të Prishtinës.

Brenda objektit të këtij fakulteti, kandidatët i nënshtroheshin elementeve të ndryshme teknike në mesin e të cilave kishte që nga lojërat sportive e deri tek vallëzimi e akrobacia, teksa kandidatët e tjerë ishin ulur në tokë dhe prisnin rendin e tyre.

Sipas Dekanit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, këtë vit 212 të rinj kanë aplikuar në këtë drejtim, gjersa 100 kandidatë do të pranohen. Vlerësimi i këtyre kandidatëve do të vazhdojë edhe nesër ku ata do t’i nënshtrohen provimit të notit në pishinën e Gërmisë dhe i fundit do të jetë vrapimi 100 metra në atletikë.

Provimi pranues në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Foto: KALLXO.com

Ani pse Selimi këtë konkurrencë e ka konsideruar të kënaqshme, ai ka pohuar për KALLXO.com se këtë vit ka ulje të interesimit krahasuar me vitet e tjera.

“Ka pak ulje por nuk është e theksuar shumë, prapë ka konkurrencë, po shohim sportistë të mirë, kështu që, ne jemi të kënaqur me performancën e secilit kandidat..”, është përgjigjur Selimi.

Në anën tjetër, ai ka thënë se ndër vite vërehet interesim edhe nga ana e vajzave për të aplikuar në këtë fakultet.

“Po, vazhdimisht ka, ne këtë vit kemi planifikuar t’i marrim 30 vajza ndërsa numri është dikund te 50-shi që kanë konkurruar”, ka shpjeguar Selimi për KALLXO.com

Nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës kanë bërë të ditur se numri i kandidatëve që kanë aplikuar në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj, në studimet themelore – baçelor për këtë vit akademik është afër 8 mijë.

“Në krahasim me dy vitet e fundit, ka ngritje të numrit të aplikimeve, në veçanti krahasuar me numrin e vendeve të shpallura për regjistrim. Programet me numrin më të madh të aplikantëve janë: Mjekësia e përgjithshme, Juridiku, Inxhinieria Kompjuterike dhe Softuerike, Infermieria, Psikologjia, Stomatologjia, e të tjera”, është thënë tutje në përgjigjen me shkrim të Rektoratit.

Ngritje të interesimit për aplikim doli të kishte edhe në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore, (FSHMN).

Sipas dekanit të këtij fakulteti, Idriz Vehapi, krahasuar me vitin e kaluar ka një ngritje të lehtë për afatin e parë, teksa drejtimi me më së shumti të interesuar është ai i Shkencave Kompjuterike, ku këtë herë kanë aplikuar 188 persona.

Vehapi ka thënë se nuk është i vogël numri i atyre që i mbarojnë studimet nëpër drejtimet e FSHMN-së, e të cilët arrijnë të punësohen.

Mirëpo, kreu i FSHMN-së ka thënë se për një pjesë të studentëve që diplomojnë nga disa drejtime të këtij fakulteti, tregu i punës vazhdon të mbetet sfidë.

“Për fat të keq, për disa nga drejtimet këtu në Kosovë dhe më tej tregu i punës është i mangët, për shembull drejtimet në Kimi dhe në Biologji… ka domethënë studentë të cilët nuk mund të gjejnë vende pune në profesionin e tyre sepse shumë prej tyre kufizohen të punojnë vetëm në arsim…”, ka shpjeguar Vehapi.

Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, ka bërë të ditur për KALLXO.com se këtë vit në këtë fakultet janë gjithsej 255 aplikantë ku më së shumti interesim ka te piktura, aktrimi, dizajni i komunikimit, dizajni i inovacioneve, dhe drejtimi pedagogjik në muzikë.

Provimi pranues në Fakultetin e Arteve, Foto: KALLXO.com

Në mesin e këtyre aplikantëve ishte edhe maturantja F.M, e cila për të konkuruar në Degën për ilustrim dhe vizatim kishte vendosur që gjatë provimit pranues të vizatonte një skicë të cilën ajo gjithmonë e kishte pëlqyer.

“E kam bërë një skicë që e kam bërë më herët dhe e bëra prapë. Është më shumë si një peizazh dhe një djalë në të”, përshkroi F.M.

“Kam vendosur ta bëj këtë skicë sepse është një prej skicave që më ka pëlqyer më së shumti dhe nuk do të doja që të mbetej vetëm skicë por ta bëja tamam, prandaj edhe e kam bërë sot”, shtoi tutje ajo.

M.H thotë dashuria ndaj vizatimit dhe pikturës ishte arsyeja që e kishte shtyrë atë që studimet t’i vazhdojë në këtë drejtim, ani pse sipas saj perspektiva ndaj artit në Kosovë nuk është e madhe.

“Mendoj se të gjithë e dimë se arti nuk ka shumë perspektivë tek ne por unë mendoj se kur e do diçka gjithmonë ke për të pasur sukses”, tha ajo për KALLXO.com.

Një tjetër studente e cila për ta vazhduar ëndrrën e fëmijërisë mori rrugën për në Fakultetin e Arteve ishte edhe aplikantja D.H, e cila aplikoi në aktrim, ku në provimin pranues u kërkohet studentëve që të performojnë një monolog, një poezi, një këngë, një imitim, dhe një tregim popullor.

“Aktrimin e kam dashur që nga fëmijëria… sot shkoi shumë mirë, nuk pata emocione…për mua pak më e vështirë mu duk imitimi, kurse pjesa që më ka përlyer më së shumti është monologu sepse aty kam pasur më shumë vetëbesim dhe jam ndjerë më e lirë, edhe në poezi gjithashtu”, tha D.H.

Gjatë ditës së sotme janë mbajtur provimet pranuese në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Arkitekturës, Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Fakultetit të Shkencave Matematikore – Natyrore, Fakultetit Juridik, dhe Fakultetit të Arteve.

Nga Rektorati i UP-së kanë thënë se programet me numrin më të madh të aplikantëve janë: Mjekësia e Përgjithshme, Juridiku, Inxhinieria Kompjuterike dhe Softuerike, Infermieria, Psikologjia, Stomatologjia.

“Procesi i provimeve sot ka rrjedhë sipas planifikimeve dhe nuk është raportuar për ndonjë pakënaqësi nga njësitë akademike apo kandidatët”, kanë thënë nga Rektorati i UP-së.

Sipas një njoftimi nga faqja zyrtare e Universitetit të Prishtinës, provimet pranuese do të vazhdojnë deri më 23 korrik 2022.

Ndërkaq, nesër, provimit do t’i nënshtrohen kandidatët për studentë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Filozofikut, Filologjisë, Ekonomikut, Edukimit, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Arteve.