Familjarët e të arrestuarve | Foto: KALLXO.com

Familjarët e të Arrestuarve: Armët Janë Tonat

Familjarët e tre nga gjashtë të arrestuarve të djeshëm treguan para gazetarëve se armët e gjetura nëpër shtëpitë e tyre gjatë aksionit policor nuk janë armë personale të atyre që përfunduan në pranga.

Ramiz Arifi, babai i të arrestuarit Atdhe Arifi tha se arma që iu gjet në shtëpi ishte e tij.

“Gjatë bastisjes përveç tjerash kanë marrë edhe armën e cila ka qenë pronë e imja, atë e kam trashëgu si suvenir nga lufta çlirimtare e Kosovës dhe nuk e ka përdorë kurrë [Atdheu] Ju ka deklaru edhe atyne, i kanë me shkrim deklaratat. Po çudia në letër është se kanë dashur t’ua mveshin djemve se armët janë të tyre, gjë që nuk është e vërtetë, e them me plot bindje,” tha Arifi.

Para gazetarëve foli edhe Hamit Dehari, babai i të arrestuarit tjetër Astrit Dehari.

“Armët janë të miat, m’i ka lanë djali i ndjerë. Astriti as që i ka ditë ato armë. Kanë qenë të konservume, nuk janë përdorë,” tha Dehari.

Edhe Blerim Haliti, vëllai i të arrestuarit Egzon Haliti tha se arma e gjetur në shtëpinë e tij nuk është e Egzonit.

“Armën e  kam trashëgim prej babagjyshit, motrës, babës, e kam pa leje u kam kërku policisë me ma kthy. Helmetat që i patë në televizion janë personalisht të miat. Egzoni nuk di me i grahë motorit,” tha Haliti.

Prokuroria dhe policia thonë se kanë prova që tre nga të arrestuarit kanë blerë motorin i cili u përdor pas sulmit të kryer në Kuvend më 4 gusht.

Blerim Haliti mohoi se këtë sulm e kanë kryer të arrestuarit. “Absolutisht jo, këta janë të rinj për me ba asi farë krimesh,” tha ai.

Familjarët e të arrestuarve u ankuan për veprimet e policisë gjatë bastisjeve.

“Kam qenë në pushim në Velipojë, policia ka ardhë në ora gjashtë e kanë thy derën e hymjes. Ndërhyrja ka qenë brutale prej policisë, “ tha Hamit Dehari.

Ndërsa Blerim Haliti deklaroi se policia pas bastisjeve i kërkoi ta nënshkruajë një letër të bardhë, të cilën ai tha se nuk e nënshkroi.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit mëngjesin e djeshëm në një aksion të përbashkët të policisë dhe prokurorisë.

 

http://kallxo.com/publikohen-emrat-e-te-arrestuarve-per-bomben-ne-kuvend/

Pas arrestimeve të djeshme Nexhibe Arifi nëna e Atdhe Arifit tha se policia hyri pa paralajmërim dhe pa treguar urdhër të gjykatës për ta arrestuar djalin e saj.

Ajo bëri të ditur se Atdhe Arifi u arrestua vetëm pse është aktivist i “Vetëvendosjes”.

http://kallxo.com/flet-nena-e-aktivistit-te-arrestuar-te-vv-se-per-bomben-ne-kuvend/