Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby

Mosmarrëveshje, sulme fizike nga burrat e vjehrra, policia arrestoi disa persona për dhunë në familje

Rastet kur gratë e vajzat janë viktima të dhunë në familje zënë vend thuajse në çdo raport ditor të Policisë së Kosovës. 

Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste në të cilat përveç veprës penale të dhunës në familje pati edhe vepër tjetër penale ajo e lëndimit të lehtë trupor. 

Në Mitrovicë dje pas mesnate, një burrë është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se rrahu gruan dhe vajzën e tyre të mitur. 

Policia ka njoftuar se ngjarja u regjistrua rreth orës 1 e 40 të mëngjesit të 12 janarit. 

Si pasojë e sulmit fizik, gruaja dhe vajza e mitur kanë pësuar edhe lëndime trupore e gjithashtu kanë marrë edhe trajtim mjekësor. 

Burri është arrestuar nga zyrtarët policor ndërsa për rastin u njoftua edhe prokurori kujdestar. 

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dëtguar në mbajtje për 48 orë. 

Rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor. 

Një tjetër rast është shënuar në Pejë. Dje rreth orës 15:00, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është rrahur nga burri i saj. 

Viktima ka pranuar edhe tretman mjekësor ndërsa burri është arrestuar. 

Rasti është hapur si dhunë në familje dhe lëndim i lehtë trupor pas koordinimit edhe me prokurorin kujdestar. 

I dyshuari, burri është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë. 

Du raste janë iniciuar në regjionin e Prishtinës. 

Në Fushë Kosovë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vjehrra e saj dhe një burrë. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar ndërsa me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje. 

Në Prishtinë, gruaja raportoi se pas mosmarrëveshjes me burrin e saj, ky i fundit dyshohet se e ka sulmuar fizikisht. 

Palët janë intervistuar dhe prokurori kujdestar ka vendosur që të njëjtit t’i liroj në procedurë të rregullt.