Gjykimi i Faik Grainca | Foto: KALLXO.com

Faik Grainca: Do të Vërtetohet Pafajësia Ime

Në Gjykatën e Ferizajt doli ish-drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj, Faik Grainca i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Graincën akuzohen edhe Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi për falsifikim dokumenti.

Sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori Shukri Jashari, Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca, sipas Jasharit, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara, edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticione janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi” të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhet se si “rezultat i peticionit të falsifikuar kuvendi komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izet Ramadanin dhe Arben Kurtishi se “kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qellim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal kinse banorët e zonës 8, rruga “Astrit Bytyqi” kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.”

I akuzuari, Faik Grainca dhe dy të akuzuarit e tjerë deklaruan veten te pafajshëm kundrejt akuzave të prokurorisë.

Faik Grainca deklaroi se pas administrimit të provave të tij do të provohet pafajësia e tij dhe do të provohet, sipas tij, “se të dëmtuarit në këtë procedurë kanë lidhje korruptive me Departamentin e Krimeve Ekonomike”.

Të akuzuarit u njoftuan nga gjyqtari i këtij rasti, Sahit Krasniqi, se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet për aktakuzën.

Të pranishëm në seancë ishin edhe tre të dëmtuarit, sipas pretendimt të prokurorisë, Imri Haliti, Bekim Haliti dhe Orhan Ibrahimi.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!