Foto-ilustrim

Dënohet ish-drejtori i Urbanizmit i Komunës së Ferizajt

Faik Grainca, ish-drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Mjedisor në Ferizaj, është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari Grainca ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Ferizajit.

Faik Grainca, sipas marrëveshjes për pranim të fajësisë, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, i cili dënim me pëlqimin e tij i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 6.000 euro.

Prokurorja Sebahate Sinani në seancen e shqyrtimit fillestar ka thënë se qëndron pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se kjo marrëveshje është lidhur në mënyrë vullnetare nga i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, andaj ka propozuar që kjo marrëveshje të aprovohet nga Gjykata.

Kurse, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kadrie Goga Lubishtani, e ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë dhe të akuzuarit.

“I akuzuari e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari”, ka thënë shkurt gjykatësja Kadrie Goga Lubishtani.

Ndryshe, Faik Granica po akuzohej se më 1 shtator 2016 në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Grainca i kishte lëshuar pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë subjektit afarist “Mozzarti KS” përkundër se kishte qenë në dijeni se subjekti afarist nuk i plotëson kushtet ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Faik Grainca si drejtor në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm pronarit të bastores sportive “Mozzart KS” edhe pse e njëjta gjendej në distancë prej 155 metra ku gjendet çerdhja e fëmijëve “Ninulla”.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast