Shpallja e aktgjykimit ndaj Faik Graincës. FOTO- Fitim Limani/KALLXO.com

Faik Grainca lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës

Faik Grainca, ish- Drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Mjedisor në Ferizaj, është liruar nga akuza e cila atë e ngarkonte me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjithashtu edhe i akuzuari tjetër Arben Kurteshi  është liruar nga akuzat për falsifikim të dokumentit, pasi Prokurori në seancën e datës 3 nëntor ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tij.

I akuzuari tjetër në këtë rast Izer Ramadani muaj më parë ka vdekur dhe ndaj tij ishte pushuar procedura.

Kujtojmë se Prokurori i Shtetit, Burim Qerkini, duke dhënë fjalën përfundimtare pati deklaruar se për të akuzuarin Faik Grainca mbetet në tërësi pranë aktakuzës si dhe provave që mbështesin aktakuzën. Andaj i pati propozuar Gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtorë.

“Pas administrimit të provave në shqyrtimet gjyqësore është vërtetuar në mënyrë të padyshimtë se në veprimet e të akuzuarit Grainca janë prezente elementet e veprës penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, thoshte Prokurori Qerkini.

Tutje në seancën e fundit të mbajtur më 3 nëntor Prokurori i Shtetit ishte tërhequr nga ndjekja penale për të akuzuarin tjetër Arben Kurteshi, pasi sipas tij nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet se veprimet e tij përbëjnë elemente të veprës penale falsifikim i dokumenteve.

Kurse i akuzuari Faik Grainca para trupit gjykues ishte shprehur se në seancat gjyqësore janë shqyrtuar çështje për të cilat gjykata në Ferizaj nuk është kompetente për të gjykuar dhe se sipas tij është absurde që i njëjti të gjykohet  për vendime të një institucioni tjetër. Andaj nga këto rrethana i pati propozuar Gjykatës që ta lirojë nga akuzat.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, Faik Grainca në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj kishte tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i kishte verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë kishte qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë kishte lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhej se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzonte edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kishin përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kishin dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.

 

I dëmtuari e pyet Faik Graincën: A i ke thënë vëllait tim ‘ju jeni familje primitive’