Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e ish-drejtorit të Urbanizmit si provë dëgjohet seanca e Kuvendit Komunal

Në Gjykatën e Ferizajt ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit, Faik Grainca, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Grainca akuzohet se nuk ka bërë verifikimin e nënshkrimeve të peticionit të qytetarëve për një rrugë.

Nënshkrimet ka rezultuar të jenë të falsifikuara.

Bashkë me Graincën po akuzohen edhe Arben Kurteshi dhe Izer Ramadani, këta për falsifikim të dokumentit.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore si provë e propozuar nga pala e dëmtuar u shikuan pamjet nga një mbledhje e Kuvendit Komunal të Ferizajt.

Në atë mbledhje ishte diskutuar për planin urbanistik.

Sipas pamjeve, nga anëtarët e Kuvendit Komunal ishte përmendur edhe emri i të dëmtuarit Imri Haliti.

Në seancën e radhës do të japin mbrojtjen të akuzuarit e këtij rasti Faik Grainca, Arben Kurteshi dhe Izer Ramadani.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme të dëmtuarit Imri dhe Bekim Haliti propozuan prova të reja dhe kërkuan që të dëgjohen edhe 13 dëshmitarë të rinj.

E trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Sahit Krasniqi vendosi që për provat e reja materiale të cilat janë dokumente të lëshuara nga organet e administratës së Kuvendit Komunal të Ferizaj të aprovohet kërkesa vetëm për dokumentet e periudhës 2016/2017, e gjithashtu aprovohet edhe propozimi nga Faik Grainca që dokumentet e marra gjatë vitit 2017 nga organet e administratës së Komunës së Ferizajt të administrohen si prova materiale,

Kurse, propozimi për dëgjimin e 13 dëshmitarëve të rinj u refuzua nga trupi gjykues me arsyetim se ata nuk janë dëgjuar as në Polici e Prokurori dhe se me dëgjimin e tyre do të zvarritej procedura penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën në këtë rast e përfaqëson Burim Çerkini, i akuzuari Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhet se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Dëgjohet dëshmitari i ri në gjykimin e ish-Drejtorit të Urbanizmit të Ferizajt

Vazhdon gjykimi i Faik Graincës për peticionin e falsifikuar