Foto: KALLXO.com

Dëgjohet dëshmitari i ri në gjykimin e ish-Drejtorit të Urbanizmit të Ferizajt

Në Gjykatën e Ferizajt ka vazhduar seanca ndaj ish Drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Grainca akuzohet se nuk ka bërë verifikimin e nënshkrimeve të peticionit të qytetarëve për një rrugë. Nënshkrimet ka rezultuar të jenë të falsifikuara.

Bashkë me Graincën po akuzohen edhe Arben Kurteshi dhe Izer Ramadani,këta për falsifikim të dokumentit.

Në seancën e sotme u dëgjua si dëshmitar ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Faruk Guri.

Para trupit gjykues të përbërë nga Sahit Krasniqi, Ibrahim Idrizi dhe Imri Sejda, dëshmitari tregoi se në kohën sa ai ka qenë kryetar i Kuvendit komunal “nuk ka pasur mundësi asnjë vendim me u falsifiku sepse seancat e Kuvendit monitorohen nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe ka pasur rast kur ata që e kanë përcjellë seancën më kanë shkru në telefon dhe më ka thënë mos e merrni këtë vendim sepse është në kundërshtim me ligjin dhe unë jam ndalur.

Tutje dëshmitari Guri deklaroi se nuk ka pasur mundësi që të merret ndonjë vendim dhe ai vendim të mos vërehej nga ministria përkatëse.

E kur u pyet nga Imri Haliti, i cili është i dëmtuar në këtë rast, se përse e keni shtyrë seancën e datës 18.9.2017, dëshmitari Guri deklaroi se Ministria kishte marrë vendim që  të pezullohet dhënia e pëlqimit për aprovim e PZHK-së (Planit Zhvillimor Komunal) dhe është pezulluar seanca. “E ne atëherë  kemi kuptuar  se ekziston një vendim i tillë”, tha dëshmitari.

“Unë personalisht nuk e kam ditur e as kryetari i Komunës nuk e ka ditur. Kur ne e kemi kuptuar se ekziston një vendim për pezullim atëherë e kemi shtyrë mbledhjen e Kuvendit Komunal”, shtoi dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën në këtë rast e përfaqëson Burim Çerkini, Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhet se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.

Seanca vazhdon nesër.

Kallxo.com ka raportuar ne vazhdimësi për këtë rast.