Kryeministri shqiptar, Edi Rama në Forumin e Sigurisë në Beograd. Foto: Facebook

Edi Rama Akuzohet se po ‘Ndërhyn’ në Çështjen e Kosovës

Komentet e Kryeministrit të Shqipërisë rreth Kosovës gjatë vizitës së tij në Serbi kanë nxitur debat se sa duhet të përfshihet Shqipëria në çështjet e Kosovës.

Pasi Kosova është bërë tema kryesore e debatit të fundit midis Edi Ramës dhe Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, publiku i përgjithshëm, diplomatët dhe analistët në Kosovë dhe Shqipëri kanë nisur një debat të nxehtë mbi rolin që Tirana duhet ta luajë në dialogun Beograd-Prishtinë dhe në çështjet e Kosovës.

Naim Ramizi, 34 vjeçar, ish student i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, tha për BIRN se ‘asnjë shtet tjetër, as SHBA-të e as Bashkimi Evropian, nuk kanë të drejtë të flasin për Kosovën para Shqipërisë’.

“Ne e dimë se lufta e fundit që ka sjellë lirinë e Kosovës i ka rrënjët në Shqipëri. Ne duhet ta vlerësojmë punën e mrekullueshme që ka bërë Ministria e Jashtme e Shqipërisë për njohjen e Kosovës si dhe për përfaqësimin tonë të dinjitetshëm në forume ndërkombëtare ku Kosova nuk ka të drejtë të marrë pjesë… T’i themi Shqipërisë të mos flasë për Kosovën, është sikur t’i themi një nëne të mos kujdeset për fëmijën e saj“, shtoi ai.

Ndërkaq Fitore Hoxha një arkitekte 27 vjeçare nga Prishtina tha për BIRN se tensionet në mes të dy shteteve kanë filluar në kohën kur Kosova formoi ekipin e saj të futbollit.

“Tensionet e krijuara në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë të paarsyeshme. Në kontekstin diplomatik, Shqipërisë nuk i duhet Kosova por ne kemi nevojë për ndihmën e Shqipërisë”, tha ajo.

Në anën tjetër, Ilir Bulku, një biznesmen në Tiranë i tha BIRN-it se komentet e Ramës për çështjet ekonomike të Kosovës në Beograd ishin të tepruara.

“Rama duhet ta kuptojë se Kosova është një shtet tjetër dhe ai nuk mund të ndërhyjë në problemet e tyre ekonomike me një shtet tjetër [Serbinë]. Paramendoni sikur Isa Mustafa [Kryeministri i Kosovës], ta bënte të njëjtën, si do të ndiheshim ne?”, pyet ai.

Gjatë debatit më 13 tetor në Forumin për Siguri në Beograd, Rama përsëriti mendimin e tij se Serbia duhet ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur, gjë për të cilën ai mendon se do të hapte dyert për bashkëpunim më të ngushtë në rajon.

Në fjalimin e tij në forum, Rama shtoi komente në konfliktet ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht mbi kompleksin mineral Trepça në veriun e Kosovës për të cilën Serbia ka pretendime pronësore.

“Trepça është një minierë në territorin e Kosovës, çfarë do të bëni, do ta transportoni atë në Beograd ?”, pyeti ai.

“Në Kosovë duhet ta kuptojnë se Trepça gjendet në territorin e Kosovës dhe i përket qytetarëve të saj, qofshin shqiptarë apo serb”, shtoi kryeministri shqiptar.

Ai gjithashtu kritikoi arrestimin e shqiptarëve të Kosovës që hynë në Serbi, me gjasë duke iu referuar arrestimin e fundit të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi, gjithsesi pa e përmendur me emër.

Përderisa disa persona në Kosovë vënë në dyshim të drejtën  dhe kompetencat e Ramës për të diskutuar për Kosovën me kaq liri me homologun serb, një deklaratë e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj ndezi edhe më shumë debatin.

Më 14 tetor, duke folur për  ‘TV Art’, një televizion në gjuhën shqipe në Maqedoni, ministri tha se Shqipëria nuk duhet të ndërhyjë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Në normalizimin e kësaj marrëdhënieje vetëm Kosova është një lojtar politik dhe besoj që Shqipëria është politikisht e qartë për këtë dhe do të jetë edhe më shumë në të ardhmen”, tha ai.

“Kosova është një shtet i pavarur dhe Shqipëria nuk është një akter global si janë SHBA-të dhe BE-ja pasiqë këta dy të fundit kanë instrumente që mund të ndikojnë [në dialog]”, vazhdoi Hoxhaj.

Përderisa disa analistë në Kosovë dhe Shqipëri e kanë akuzuar Ramën që po e tejkalon të drejtën e tij për të folur në emër të Kosovës dhe se po tregohet prindëror, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se kjo është  e padrejtë.

Në një intervistë për një gazetë në Kosovë të publikuar më 17 tetor, Minxhozi i ka këshilluar shqiptarët e të dyja anëve të kufirit të mos lejojnë një çështje jo ekzistente të dalë jashtë kontrollit.

“Kryeministri Rama nuk ka folur në emër të Kosovës por në interes të Kosovës”, tha ai.

“Kosova ka institucionet e veta dhe është një shtet i pavarur dhe demokratik sikur Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë se Rama nuk mund të flasë për interes e Kosovës, të Shqipërisë, të të gjithë rajonit “, tha Minxhozi.

Mero Baze, drejtor i webfaqes Tema, tha për BIRN se Kryeministrat Shqiptar ndihen  sikur kanë të drejtë të flasin për çështjet që prekin shqiptarët në të gjithë rajonin.

“Hyrja e Kushtetutës së Shqipërisë thekson rolin e shtetit në prosperitetin e të gjithë kombit, prandaj Rama ka të drejtë të kujdeset për çështjet që i interesojnë shqiptarëve në Kosovë gjithashtu”, tha ai.

Baze tha se debate mbi të ashtuquajturën ndërhyrje të Ramës në Kosovë ishte artificial dhe është shfrytëzuar për përfitime politike.

“Debati po shtyhet nga kundërshtarët politikë të Ramës në Tiranë, i ndezur nga frika e politikanëve në Kosovë se Rama po u vjedh rolin në marrëdhëniet me Serbinë “, tha ai.