Edhe të Moshuarit në Protestë

Në mesin e atyre që janë vendosur në tendat e ngritura nga partitë opozitare në sheshin afër Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër Qeverisë Mustafa ka edhe persona të moshuar.

Një prej tyre është edhe Qamile Doda nga Prishtina. Ajo është e mllefosur me kushtet e jetës dhe për këtë kritikon Qeverinë.

E vendosur në njërën prej tendave, Qamile Doda thotë për KALLXO.com se është e vështirë të jetohet me 75 euro. Ajo është e pakënaqur në çdo aspekt me punën e qeveritarëve të Kosovës.

“Kam dalë edhe unë m’e shpreh mendimin tim për këtë Qeveri. Kjo Qeveri nuk është as për të vjetrit as për të rinjtë. Kjo Qeveri është e mbrapshtë, kjo Qeveri na pruni në humnerë”, thotë ajo.

Pakënaqësitë e Qamiles janë të shumanshme. “S’jemi të kënaqur as me mjekësi, as me ekonomi, as me kurgjo hiç. Kurrëfarë ndihme s’të japin. Kurrëfarë drejtësie s’po ia japin popullit, as rinisë, as pleqnisë”, thekson ajo.

Një i moshuar tjetër që natën e kaluar e kaloi në tendë është edhe Brahim Turkaj. Ai ka ardhur nga Banja e Pejës. Thotë se nuk kanë pasur asnjë telash. As i ftohti nuk i ka penguar. “Mileti ka pru ushqim”, tregon ai.

Brahimi thekson se ka kohë që nuk është i kënaqur me qeverisjen në Kosovë. “S’jemi të kënaqur me këtë qeverisje që 15 vite.  Është pak edhe neglizhencë e popullit që nuk çohen me i thanë të gjitha konkret çka po ndodhë në këtë vend”, thotë Brahim Turkaj.

Kjo situatë e ka detyruar atë edhe t’i ndërrojë bindjet politike.

“Unë kam qenë një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në ardhjen e Isa Mustafës. Këtu e mbaj familjen teme, e këtu e mbaj edhe këtë person këtu”, thotë Brahimi teksa tregon dy fotografi, të cilat i nxjerr nga kuleta. Në foton e dytë është presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.