Edhe Një Dëshmi Për Kapjen e Shtetit

Një ditë pas ngritjes së aktakuzës për falsifikim të dokumentit zyrtar kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje,  e cila vlerëson se kjo është edhe një dëshmi tjetër për kapjen e shtetit.

Lideri i LVV-së, Visar Ymeri, tha sot se kjo aktakuzë është ngritur në kohën kur është konsumuar kjo vepër penale.

“Kështu dëshmohet se si ky shtet është i kapur, se si Gjykata Kushtetuese është e kapur nga politika dhe si shkelen procedurat në trajtimin e çështjeve që kanë rëndësi jetike për Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Kreu i Vetëvendosjes theksoi po ashtu se personi që në krye të Gjykatës Kushtetuese  falsifikoi vendimin e kësaj Gjykate, është i njëjti person që e ka udhëhequr këtë Gjykatë për një kohë të gjatë, e në kohën e të cilit janë marrë disa vendime jashtëzakonisht të rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe për kushtetutshmërinë në vend.

Sipas tij janë bërë tri lloje të shkeljeve.  “Nga publikimet në media në atë kohë kuptohej se ka ekzistuar një marrëveshje joformale jashtinstitucionale mes presidentes Jahjaga, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, si dhe përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, që një emërim i tillë të shkojë tutje përkundër shkeljeve. Me atë vazhdim të mandatit, Presidentja shkeli Kushtetutën. Në anën tjetër, Samuel Zhbogar, që ka ndërhyrë në këtë proces dhe ka kërkuar nga Presidentja që ta bëjë këtë emërim, e ka shkelur kodin diplomatik dhe i ka shkelur ligjet dhe procedurat e vendit. E kryetari i Gjykatës Kushtetuese i asaj kohe ka shkelur rregullat dhe procedurat duke falsifikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas VV-së kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese, e udhëhequr nga Enver Hasani që sot akuzohet për falsifikim të dokumenteve zyrtare, i ka marrë këto vendime që kanë reperkusione edhe sot në zhvillimet politike dhe institucionale që lidhen me sovranitetin e vendi.

http://kallxo.com/enver-hasani-me-aktakuze-rama-hajrizi-lirohet-prej-hetimeve/

Lideri i Vetëvendosjes aludonte në ngritjen e aktakuzës, të mërkurën, sipas të cilës i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës – me dashje, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në rastin e kërkesës së Presidentes së Kosovës lidhur me dekretin që kishte të bënte me gjyqtarët ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“…në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

http://kallxo.com/sonte-jeta-ne-kosove-afera-zarfi-2/

 

Emisioni Jeta në Kosovë më 9 nëntor 2014, kishte raportuar për rrugën e cila çoi deri te vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, i pandehuri Hasani me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari, si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Enver Hasani po gjykohet edhe për mashtrim kur si ish-rektor i UP-së kishte nënshkruar kontratë për përkthimin e librave në gjuhën shqipe për nevojat e universitetit.