Foto: Arkiv

Dy Suspendime në Polici për Vizitën Ilegale të Gjuriqit në Veri

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti.

“Hyrja e tij në Kosovë në mënyrë ilegale ju e dini se si është përdorur mënyra që ai të paraqitet për ato pesë minuta në veri të Mitrovicës ka rezultuar me pasoja për suspendimin e dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, përkatësisht stacioni në veri. Janë suspenduar zëvendëskomandanti i stacionit Policor, në Veri dhe shefi i Operativës së Stacionit në veri”, tha Hoti.

KALLXO.com ka mësuar se të suspenduarit janë Majori Goran Zhivkoviq dhe Kapiteni Milija Millosheviq.

Hoti për KALLXO.com tha se suspendimi i zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës së Stacionit Policor në Veri për 48 orë ka të bëjë me mos zbatimin e urdhëresës së Qeverisë së Kosovës për ndalimin e Gjuriqit.

“Janë suspenduar në pamundësi të zbatimit të kësaj urdhërese. Është suspendim i përkohshëm deri në 48 orë për çfarë më pas Njësiti i Standardeve Profesionale duhet të marrë një vendim tjetër për propozim të Drejtorit të Policisë nëse duhet ti vazhdohet apo jo afati i suspendimit”, deklaroi Hoti.

Hoti tha se Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konform urdhëresës së Qeverisë së Kosovës për të parandaluar hyrjen e Gjuriqit në Kosovë.

Marko Gjuriq të enjten ka hyrë në mënyrë ilegale në Kosovë, duke shfrytëzuar rrugët ilegale në veri të Mitrovicës.

Vizita e tij në Kosovë ishte ndaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët mënyrën e tij të depërtimin ne veri e quajtën provokim të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të sigurisë.

MPJ tha se Gjuriq hyri në Kosovë i maskuar në një autoambulancë.

http://kallxo.com/mpj-gjuriqi-hyri-ne-kosove-i-maskuar/