‘Drejtësia në Kosovë’: Dy Hulumtime për Uzurpimet e Pronave Publike

Emisioni i radhës “Drejtësia në Kosovë” në pjesën e parë sonte transmeton të gjeturat nga hulumtimi i cili tregon se si kompania “Rukolli”, me pronar Rrustem Rukolli, po e shfrytëzon kundërligjshëm pronën e Postës së Kosovës që nga viti 2010.

Hulumtimi nxjerr në pah fakte se si ka dështuar shteti t`i largojë uzurpatorët nga prona publike, përkundër premtimeve të vazhdueshme të zyrtarëve më të lartë në vend.

Të gjeturat tregojnë për përpjekjet e Postës për ta larguar nga prona e saj kompaninë Rukolli, e cila muaj më parë është larguar nga një pronë tjetër që e mbante uzurpuar në qendër të Prishtinës.

Në pjesën e dytë të emisionit sonte do të transmetohet një hulumtim se si inspektorët e ndërtimit në Gjilan janë vënë në lëvizje për t`i larguar ndërtimet pa leje vetëm pas interesimit të Prokurorit të Shtetit.

Hulumtimi dëshmon se si në qendër të qytetit në Gjilan, Drejtoria e Urbanizmit dhe inspektorët komunalë, për më shumë se shtatë vjet ka lejuar ndërtime pa leje përkatëse dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t`i ndaluar, apo larguar ndërtimet ilegale.

Në fund të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, transmetohet rubrika e rregullt “Policia”, me pamje ekskluzive nga aksionet e Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit.

“Drejtësia në Kosovë” transmetohet në ora 22:20 në Radio Televizionin Publik të Kosovës RTK, çdo të premte dhe repriza të hënën në mesditë.