Mytaher Haskuka (LVV). Foto: Kallxo.com

‘Dredhia’ Politike me Vëzhgues të ‘Shoqërisë Civile’

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, të ftuarit Teuta Haxhiu nga AAK, Mytaher Haskuka nga LVV dhe Arben Gashi nga LDK dhanë mendimet e tyre në lidhje me Organizatën Jo Qeveritare, për të cilën KALLXO.com zbuloi se koalicioni PDK-AAK-Nisma kishin fshehur vëzhguesit e tyre në këtë organizatë.

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se kjo praktikë është e njohur pasi që Partia  Demokratike e Kosovës, e kishte zhvilluar edhe më herët të njëjtën mënyrë.

“Kjo nuk është praktik e panjohur e anës së PDK-së, ka bërë edhe në të shkuarën kësi lloj praktikash. Për këto arsye, e para mobilizimi politik sepse duke i angazhu si vëzhgues dhe duke i paguar si vëzhgues janë votues të partisë së tyre, e dyta rrethi i familjes i cili ndikohet nga këta vëzhgues, dhe e treta ndikimi në proces, ndikim ky që ka qenë edhe në të shkuarën”, tha Gashi.

Teuta Haxhiu, deputetja nga radhët e Aleancës e Ardhmërisë së Kosovës, tha se kishte dëgjuar për këtë skandal ndërsa thekson se është mesazh për ata që pretendojnë të vihen mbi votën e qytetarëve.

“Sinqerisht në radhë të parë, po më vjen keq me e thanë, për shkak të angazhimit nuk kam mujt me qenë as pjesë e debateve por kam dëgju për këtë pjesë. Kam dëgju për shkak të këtyre organizatave jo qeveritare, për herë të parë mesazhi që ata që mund të pretendojnë me bo gabime në ndërhyrje të votave kanë kuptuar që mund të dënohen dhe kjo më ka bërë të ndihem më e fortë pasi që gjithmonë jam interesu që besimi i qytetarit të ruhet. Konsideroj që për herë të parë është konsideru një vetëdije e lartë”, tha ajo.

“Në radhë të parë duhet të dihet se OJQ nuk duhet të ketë vëzhgues të subjekteve politike”, shtoi ajo.

Mytaher Haskuka nga  Lëvizja Vetëvendosje, e quajti formë të kamufluar të blerjes së votave.

“ Çka me thanë. Kjo është një formë e kamufluar e blerjes së votave. Kjo OJQ ka qenë jo aktive dhe është aktivizu menjëherë me 4 mijë e diçka vëzhgues, dhe kanë pasur llogon e PDK-AAK-Nismas ka qenë një formë e re e manipulimit ndoshta ka qenë edhe më përpara por nuk e di”, tha ai.

Emisionin “Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: