‘Drafti për Kategorizim të Sporteve Është i Keq'

Sekretari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha,  vlerëson se drafti i MKRS-së për kategorizim të sporteve është i keq dhe pa kritere.

I ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, Hoxha tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërtuar një draft krejtësisht të padrejtë për kategorizimin e sporteve.

“E kemi marrë një draft për kategorizim të sporteve që është i keq për të mos thënë idiotik. Ka shumë probleme dhe tentim të hapur për t’u kontrabanduar disa sporte për tu kategorizu si elitare pa pasur  kurrfarë baze“, tha Hoxha.

Hoxha u shpreh se drafti parasheh favorizimin  e sporteve në bazë të rezultateve duke diskriminuar kështu sportet masive që i mbërrijnë më vështirë ato rezultate.

“Nëse ajo futet diskriminohen një sërë sportesh tjera të cilat janë masive edhe të cilat e kanë shumë më vështirë  me prodhu rezultate pasi e kanë më të vështirë me u plasu. Nëse kalon ai draft, ai është më mirë të mos kalojë, më mirë i kemi punët kështu si i kemi sesa të bëhet kategorizimi i sporteve keq”, tha Hoxha.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun më poshtë: