Almir Daci

Dosja e ish-Imamit Xhihadist Dërgohet në Gjykatë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të dërgojë në gjykatë dosjen e Almir Dacit-ish imam i xhamisë së Leshnicës në Pogradec, pesë muaj pasi ai u bë protagonist i një videoje kërcënuese për shqiptarët në emër të Shtetit Islamik. Daci pritet të gjykohet në mungesë për dy akuza; nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e akteve terroriste dhe rekrutim të personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste.

Me emrin e luftës Ebu Belkisa, Daci njihet si një ndër militantët shqiptarë më aktivë përkrah ISIS. Ai ka qenë në hetim që prej fillimit të vitit 2014, së bashku me 20 shqiptarë të tjerë që dyshohej se ishin përfshirë në rekrutime për llogari të Shtetit Islamik.

Në shkurt të vitit 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjyq dy imamët që ushtronin aktivitetin në Tiranë, Genci Balla dhe Bujar Hysa si dhe shtatë ndihmës të tyre-të gjithë të arrestuar në operacionin antiterror të marsit 2014. Hetimet për 12 shqiptarët e tjerë, që dyshohej se ndodheshin në Siri u ndanë në një dosje më vete.

Së bashku me Dacin, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nën hetim edhe Shkëlzen Dumanin, Shyqyri Kacën, Medi Manallarin dhe disa shqiptarë të tjerë. Por hetimet për ta janë pezulluar, për shkak se prokuroria e ka pasur të pamundur të sigurojë informacione për fatin e tyre.

Hetimi i dytë për rekrutuesit e xhihadistëve ka hasur vështirësi të shumta, për shkak të mungesës së njoftimeve zyrtare për personat e vdekur apo për ata që vazhdojnë të luftojnë përkrah militantëve të Shtetit Islamik.

Megjithatë, shfaqja e Almir Dacit në videon kërcënuese për shqiptarët në qershor të vitit 2015 është administruar si provë në hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër tij. Në videon e publikuar në youtube në qershor 2015, mes militantëve të ISIS nga Ballkani shquheshin edhe Almir Daci dhe një shqiptar i Kosovës, të cilët kërcënonin për sulme terroriste kundër të “pafeve”.

Edhe pse do të gjykohet më vete, akuzat kundër Almir Dacit janë të njëjta me ato të nëntë të pandehurve të tjerë, të cilët i janë nënshtruar procesit në Gjykatën e Krimeve të Rënda prej shkurtit të vitit 2015.

Të pandehurit akuzohen se kanë rekrutuar rreth 90 shqiptarë për t’iu bashkuar luftimeve në Siri, përmes predikimeve në një rrjet xhamish, të cilat ishin jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Xhamitë e Unazës së Re dhe Mëzezit përdoreshin si hallkat kryesore në këtë rrjet, për indoktrinimin fetar të xhihadistëve potencialë. Xhamia e Leshnicës në Pogradec, ku predikonte Almir Daci kishte rekrutuar gjithashtu një numër të konsiderueshëm të rinjsh.

Marrë nga: Reporter.al