Rezervuari | Foto: Dogana e Kosovës

Dogana Zbulon Naftë të Fshehur në Rezervuarë

Dogana e Kosovës në dy aksione të ndara, sipas një komunikate të saj, zbuloi 24 mijë litra naftë në rezervuarë të fshehur brenda dy automjeteve.

Komunikata e Doganës bën me dije se zyrtarë të saj aksionin e parë e zhvilluan në fshatin Banjë e Pejës kur ndaluan një maune për ta kontrolluar.

“Dyshimet rezultuan reale pasi kontrolli zbuloi të montuar dy rezervuarë të modifikuar specialë për derivate të naftës me kapacitet nga 10.000 litra secili, të cilët ishin të mbushur plotësisht,” thuhet në komunikatë.

Dogana njofton edhe për aksionin tjetër në Mitrovicë gjatë të cilit në një furgon u zbulua sasi tjetër e naftës që dyshohet të jetë e kontrabanduar.

“Pas kontrollit është gjetur një rezervuar post-fabrikant i ndërtuar posaçërisht për bartjen e derivateve të kontrabanduar dhe ku gjendeshin rreth 4000 litra derivate të naftës. Edhe në këtë rast automjeti dhe nafta janë konfiskuar,” tregon komunikata.

Kësaj radhe zyrtarë të doganës u desh ta ndjekin furgonin me makinat e tyre për ta ndaluar.

“Pas marrjes së informatës dhe dyshimeve për transport ilegal të naftës njësitë e doganës kanë ndjekur një automjet Ford Tranzit I cili gjate tentimit për tu shmangur nga përcjellja kishte dale nga rruga kryesore ku dhe vozitësi e braktisë automjetin,” sqaron komunikata.

Në aksionin e tretë pjesëtarë të doganës zbuluan vajra për makina.

“Në rrugën Lipjan-Prishtinë njësitë e doganës kanë ndaluar për kontroll një kombi transportues ku gjatë kontrollit është konstatuar se ngarkesa në atë kombi ishte me mallra si: vaj motorik, vaj transmisionit dhe vaj i frenave në sasi totale prej 1116.5 litrash<’ thuhet në komunikatë.

Për këto vajra, sipas komunikatës,  transportuesi i tyre nuk kishte asnjë dokument.

Dogana njofton se përveç derivateve dhe vajrave të konfiskuara, janë konfiskuar edhe tri automjte dhe janë ngritur kallëzime penale për të dyshuarit.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për derivate nafte të zbuluara nga dogana nëpër rezervuarë makinash.

http://kallxo.com/dogana-konfiskon-10-mije-litra-nafte/