Dogana Publikon Vendimet e Drejtorit

Këtë e bëri të ditur dogana përmes faqes zyrtare të saj.

Përmes kësaj kategorie, publikimi i vendimeve dhe shpenzimeve të parasë publike nga ana e doganës ka për qëllim rritjen e transparencës.

“Kjo kategori të vetmin qëllim e ka që të rritë edhe më tej transparencën e doganës dhe menaxhmentit të saj karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës.  Kategoria është krijuar në tri gjuhët dhe titullohet Vendimet e Drejtorit të Përgjithshëm. Në këtë kategori përveç vendimeve do të publikohen edhe të gjitha shpenzimet e parasë publike nga ana e doganës dhe drejtorit të përgjithshëm,”  thuhet në njoftim.

Buxheti

Dogana e Kosovës si institucion i pavarur për vitin 2016 ka buxhetin mbi 8.5 milionë euro.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti është planifikuar për paga dhe mëditje mbi 5.5 milionë euro, mallra dhe shërbime mbi 1.7 milionë euro, shpenzime kapitale mbi 1 milion euro dhe komunali mbi 193 mijë euro.

Sipas raportit të shpenzimeve për periudhën janar-prill 2016 të publikuar në këtë kategori të faqes, del se dogana ka shpenzuar mbi 2.4 milionë euro që përbën rreth 28.5 për qind të buxhetit të planifikuar për vitin 2016.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky institucion ka rritje të shpenzimeve për 12.63 për qind. Që i bie në diferencë rreth 273 mijë euro.

Në katër muajt e parë të këtij viti, të dhënat e raportit thonë se të gjitha kategoritë shënuan rritje të shpenzimeve.

Për paga dhe mëditje u shpenzuan 1.8 milionë euro rritje, mbi 391 mijë euro për mallra dhe shërbime, mbi 41 mijë euro për komunali dhe mbi 161 mijë euro për shpenzime kapitale.