Dogana Kap 20 Mijë Pako Cigare Kontrabandë

 

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në një operacion dyditor ka arritur të kapë një sasi të konsiderueshme të duhanit kontrabandë që po futej në Kosovë nga Maqedonia.

Vlera e mallit të konfiskuar llogaritet të jetë 30 mijë euro.

Në këtë operacion, përveç kapjes së duhanit, është arrestuar edhe pronari i mallit i cili është dërguar në mbajtje.

“Furgoni i cili transportonte mallrat kontrabandë udhëtonte në magjistralen Gjilan – Prishtinë dhe njëkohësisht ishte duke u përcjellë nga vetura të tjera të kontrabandisteve”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

“Njësitet e doganës kanë ndaluar furgonin, por gjatë këtij procesit janë sulmuar nga një veturë e cila ishte në përcjellje të tij. Kjo veturë goditi disa herë automjetet e doganës. Pas sulmit ndaj oficerëve doganorë vetura e cila ishte në përcjellje arriti të largohet përkohësisht, mirëpo oficerët doganorë nuk ndërmorën masa, bazuar në vlerësimin e situatës dhe rrezikut dhe për faktin që në atë veturë gjendej edhe një fëmijë i moshës 10 vjeçare”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari ishte kapur nga Policia dhe dogana pasi ky automjet kishte ikur.

duhan1 duhan2