Detyrat e Shtëpisë për Integrimin Evropian

Xhezair Zaganjori, kryetari Gjykatës së Lartë në Shqipëri dhe Tom Ndreca, gjyqtar i kësaj gjykate vizituan Gjykatën Themelore në Gjilan.

Zaganjori gjatë vizitës në këtë gjykatë u ndie si në shtëpi.

“Unë ndodhem për një vizitë të shkurtër në kuadër të një bashkëpunimi që kemi me Gjykatën Supreme edhe me Gjykatën Kushtetuese, sepse ne kur vijmë e ndjejmë veten sikur familjen tonë dhe jemi në shtëpinë tonë,” tha Zaganjori.

Ai deklaroi se Kosova e Shqipëria duhet të bashkëpunojnë për t’i kryer së bashku detyrat e integrimit në BE.

“Sot në kushtet e globalizimit, në kushtet e rrugëtimit të përbashkët drejt mekanizmave euro-atlantik, ne kemi detyrën e madhe për t’u integruar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë, ato që konsiderohen parime me vlerë themelore, si parimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë, respektimit të drejtave që aktivisht të punojmë të gjithë së bashku,” tha Zaganjori.

Gjatë vizitës, zyrtarët e gjyqësorit në Shqipëri u shoqëruan nga kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Hasani dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Fejzullah Hasani tregoi pse është zgjedhur pikërisht Gjykata e Gjilanit për këtë vizitë.

“Kjo është një ndër gjykatat më të mira në territorin e Kosovës sa i përket edhe efekteve të punës dhe profesionalizmit, të dhënat tregojnë se qëndron lart në piramidën në aspektin  e punës dhe azhuritetit dhe cilësisë së punës,” tha Hasani.

Edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri lavdëroi Gjykatën Themelore të kësaj komune.

“Ne si Gjykatë Themelore e Gjilanit së bashku edhe me tri degë jemi duke bërë përpjekje që çdo ditë të rrisim efikasitetin në punë dhe të rrisim besueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit të vendit. Ne si  gjykatë që dy vjet shpallemi si gjykata më e suksesshme në nivel të vendit dhe kjo është falë angazhimit të gjyqtarëve dhe stafit të kësaj gjykate,” deklaroi Haziri.

Ai tha se ndihet i privilegjuar për këtë vizitë të nivelit të lartë nga zyrtarë të gjyqësorit në Shqipëri.

Mysafiri nga Shqipëria Xhezair Zaganjori tha se kjo vizitë po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm të gjykatave të Shqipërisë me ato të Kosovës.