Pamje pas sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Detajet e Aktakuzës 13 Faqëshe për Sulmin në Kuvend

Në 13 faqet e aktakuzës kundër katër anëtarëve të “Vetëvendosjes”, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të përshkruajë saktë se cili nga ta ishte personi që sulmoi Kuvendin e Kosovës.

Siç shkruhet në aktakuzën e prokurorisë, një pjesë e provave ende nuk janë ekzaminuar për shkak se ndodhen në Amerikë, ndërsa nga 2092 thirrjet që i kishte realizuar Frashër Krasniqi, vetëm në dy prej tyre ishte përmendur sulmi.

Në mesazhe pretendohet se Krasniqi kishte udhëzuar liderin e VV-së Visar Ymerin të reagonte për sulmet ndaj RTK-së duke i kërkuar reagim për shkak se publiku po ua atribuonte këtë sulm atyre.

Ndërsa në një komunikim tjetër me një person të panjohur, Frashëri kishte biseduar por nuk kishte pranuar se ata kryen sulmin.

“Keni gju asi sene në RTK. Mos gjuani asi sene, mos boni trazira pa lidhje,” i kishte thënë personi Krasniqit. Siç shkruhet në aktakuzë, Krasniqi “me sarkazëm ja ka kthy:  hej, hej, këto janë akuza të rënda. Na në RTK gjuajmë vetëm fjalë e asi… pa e saktësuar çka”.

Aktakuza e nënshkruar nga prokurori Abdurrahim Islami përmend si prova pjesën më të madhe të fakteve të cilat deri më tani kanë qenë të bëra publike.

Ajo përshkruan komunikimet telefonike dhe faktin se pjesëtaret e grupit e kishin blerë motoçikletën e cila besohet se u përdor natën e sulmit.

Edhe policia kishte përmendur motoçikletën si provë, më 30 gusht, ditën kur publikoi lëvizjet e të dyshuarve për sulmin në Kuvend.

http://kallxo.com/sulmi-ne-kuvend-fotot-e-levizjeve-dhe-armeve/

Prokurori shpjegon se disa ditë para sulmit Atdhe Arifi, Egzon Arifi dhe tani i ndjeri Astrit Dehari kishin blerë motoçikletën për 500 euro nga shitësi H.R. pa lidhur kontratë dhe pa kërkuar dokumentacion relevant.

Disa ditë më vonë, me datën 29.07.2016, sipas aktakuzës pjesëtarët e grupit krijuan e-maillin [email protected] nga i cili pretendohet se është lëshuar komunikata e cila merrte përgjegjësinë për sulmin.

Prokurori pretendon ta mbështesë përdorimin e këtij e-maili nga grupi me disa prova të cilat pretendohet se  argumentojnë që e pandehura Adea Batusha kishte përdorur një telefon “Samsung” të blerë në qendër të Prishtinës e i cili më pas ishte përdorur për ta lëshuar komunikatën.

Me datën 05.08.2016 e pandehura Adea nga një shitës ambulant blen një telefon “Samsung” dhe së bashku me Frashërin nga llogaria e lartshënuar dërgojnë në orën 13: 39 një e-maill në media të ndryshme  me çka kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e kryer.

Në sqarimin e asaj që ka ndodhur natën kur është kryer sulmi, prokurori nuk ka arritur të sigurojë dëshmitarë të cilët i kanë identifikuar vizualisht dy sulmuesit. Të gjithë dëshmitarët i kanë përshkruar sulmuesit si persona të panjohur, ndërsa analizat e materialeve video nuk kanë arritur ta zbulojnë identitetin e saktë të tyre.

Për ta qartësuar këtë pamje prokuroria i ka dërguar materialet për qartësim fotografik në Amerikë, por siç shkruhet në aktakuzë kjo analizë nuk është kthyer ende.

KALLXO.com shkroi për dërgimin e video-materialeve për qartësim.

http://kallxo.com/incizimet-per-sulmin-ne-kuvend-qartesohen-jashte-vendit/

Aktakuza e prokurorisë sqaron se të pandehurit nuk kanë pranuar të japin deklaratë para prokurorit, duke e shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.