Dëshmitari: Pronat e Kelmendit nga Dubai në Rusi

K1 para gjykatës tha se Naser Kelmendi ka prona në të gjithë botën.

“Kelmendi ka prona në Dubai, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë, Rusi, Serbi, Maqedoni dhe në të gjithë botën,” tha dëshmitari K1.

Sipas dëshmitarit shumë prona të Kelmendit janë në emër të tij, por edhe në emra të personave tjerë.

Dëshmitari si prona të Kelmendit i konsideroi hotelet “Casa Grande” në Mal të Zi,  “Hollywood” në Sarajevë, “Amsterdam” në Budvë të Malit të Zi, pastaj përmendi një fabrikë të akullores në emër të vëllait të Kelmendit, por edhe prona tjera.

” Do të na merrte 5 ditë për të diskutuar për të gjitha pronat e tij nëpër botë,” u shpreh dëshmitari.

Gjyqtarja e EULEX-it tha se këto prona për të qenë duhet të dokumentohen me kontrata përkatëse.

Dëshmitari shtoi se Naser Kelmendi dhe Fahrudin Radonćiq e kanë dërguar në Turqi në vitin  2003  Muhamet Ali Gashin për ta vrarë Ramiz Delaliqin.

Ramiz Delaliq u vra në qendër të Sarajevës në vitin 2007, ndërsa Naser Kelmendi akuzohet për vrasjen e tij.

Sipas dëshmitarit të koduar me shifrën K1 Delaliqi u vra ngase ishte kundër biznesit të drogës të Kelmendit në Turqi dhe për arsyen se sipas dëshmitarit gruaja e Fahrudin Radonćiqit një pronari mediesh dhe politikani boshnjak kishte lidhje me Delaliqin.

Dëshmitari tha se Radonćiqi ka pasur pozitë më të lartë sa i përket politikës, ndërsa Kelmendi pozitë më të lartë sa i përket krimit.

I pyetur se pse nuk është përmendur më herët Radonćiqi, K1 tha se Radonćiqi ka qenë ministër dhe i ka pasur te gjitha kontaktet me prokuroret e Bosnjës.

” Prokurorët e Bosnjës më kanë kërcënuar mua dhe familjen time nëse flas për ndonjë lidhje të Radonćiqit me Kelmendin. Radonćiqi ka qenë ministër i policisë dhe i ka pasë në dorë të gjithë prokurorët e Bosnjës,” theksoi K1.

K1 në procesin kundër Kelmendit dëshmoi edhe në muajin mars.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi  aktakuzën një prodhim nga Bosnja.