Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Marrëveshja PTK – Z-Mobile ishte mekanizëm për plaçkitje të fondeve publike

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish-kryeshefëve të kësaj kompanie publike, Agron Mustafa e Ejup Qerimi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës, kanë dhënë dëshminë e tyre Ismet Hamiti dhe Sabaedin Ramxhiku.

Dëshmitari Ismet Hamiti tha se marrëveshja PTK – Z-Mobile ka qenë mekanizëm për plaçkitje të fondeve publike.

“Të gjitha fondet që janë fitu këtu janë fonde publike, të gjitha të hyrat që Z-Mobile ka fituar kanë qenë publike. Po të mos ishte Z -Mobile të gjitha ato fonde do të ishin të PTK-së dhe kjo është një mekanizëm plaçkitës. Moszbatimi i marrëveshjes ka pasë si motiv të shkojë rasti me Arbitrazh dhe të krijohet edhe një mekanizëm për plaçkitje edhe më të madhe”, tha dëshmitari Hamiti.

Më pas ai tha se një gjë e tillë është skemë shkollore e krimit të organizuar.

“Janë ata që e nisën, ata që e licencuan, ata që e nënshkruan me bordin dhe ata që e zbatuan. Ju po merreni me një rast e jo me krejt zanafillën e krimit”, tha dëshmitari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Ramiz Krasniqi, e pyeti dëshmitarin se a ka njohuri për problemet e Telekomit në periudhën 2012-2014 dhe nëse ka qenë anëtar i ndonjë bordi apo ndonjë komisioni në PTK, por dëshmitari është përgjigjur se nuk ka qenë në këto pozita.

“Po të kisha qenë do ju tregoja. Dëshiroj që para mediave t’iu jap një dëshmi që desha të lexoj këtu por nuk m’u lejua. Kjo nuk është keqpërdorim detyre, por pjesëmarrje në krim të organizuar”, tha Hamiti.

Ndërsa dëshminë e tij e ka dhënë edhe udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Telekomin e Kosovë, Sabaedin Ramxhiku.

Sa i përket kontratës në mes Dardafonit dhe PTK- së dëshmitari tha se e njëjta është zbatuar dhe se roli i Departamentit ligjor që udhëheq ai kishte qenë vetëm kontrollimi i kontratës nga aspekti legal i saj.

“Konform një dokumenti zyrtar në korporatë që quhet ‘Matrica e autorizimeve’, Departamenti ligjor kontrollon të gjitha kontratat komerciale nga aspekti legal dhe ky ka qenë roli edhe te kontrata me Dardafonin. Janë dhënë komente për bordin dhe menaxhementin, ndërsa gjatë zbatimit te operatori mobil virtual, Departamenti ligjor nuk ka punë aty, por aty është menaxheri i projektit dhe njësitë relevante”, tha dëshmitari.

Ndryshe prej vitit 2008 kur ishte nënshkruar kontrata mes Z- Mobile dhe PTK- së, dëshmitari tha se nuk kishte pasur më kontakt me këtë kontratë deri në vitin 2015, kur sipas tij  kishin lindur disa keqkuptime për disa dispozita që iu referoheshin disa shërbimeve të reja që PTK-ja kishte filluar t’i komercializojë si produkte të reja.

Sa u përket këtyre dilemave, ai tha se ishte formuar një ekip në përbërje nga Valon Zhuniqi, Mehdi Latifaj, Fatmir Tërnava, Valbona Tahiri dhe vetë ai, ekip ky që kishte zhvilluar takime me ekipet e Dardafonit, me të cilët ishin munduar për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me keqkuptimet që iu kanë referuar shërbimeve të 3G dhe 4G.

Lidhur për këto shërbime dëshmitari Ramxhiku tha se kanë qenë tërësisht të reja dhe në kohën kur ishte lidhur marrëveshja bazë, PTK – ja nuk i kishte pasur këto shërbime e as pajisjet për to.

“Ne nëse nuk gaboj i kemi investuar rreth 80 milionë euro për këto shërbime dhe ka qenë mendim kolektiv që të njëjtat të mos i jepen Dardafonit. Nuk kemi qenë kundër por kemi qenë të bindur që nuk i takojnë”, tha Ramxhiku.

Kurse përveç shërbimeve 3G dhe 4G ai tha se kishin pasur mospajtime edhe lidhur me pagesën e kodit shtetëror, sepse sipas tij Z-Mobile kishin qenë të bindur se nuk duhet të paguajnë, kurse PTK- ja kishte thënë se duhet të paguajnë.

Sipas dëshmitarit diçka ndodhi dhe bisedimet ishin ndërprerë dhe rasti me pas përfundoi në Arbitrazh.

Në këtë seancë është pritur të dëshmojnë edhe dëshmitarët Mehdi Latifaj dhe Valon Zhuniqi, mirëpo seanca më pas është ndërprerë për shkak të problemeve që Gjykata kishte me ajër.

Seanca e radhës është caktuar për më 8 korrik.

Mungesë ajri në Gjykatë, ndërpritet seanca për Z-Mobile

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, datë kur ai, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Në mars të këtij viti, Blerim Devolli, pronar i kopanisë Z-Mobile, ka rrëfyer para Gjykatës për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerim

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës së Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës së shkallës së parë të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurorja speciale Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.