Apeli refuzon ankesën e prokurorisë, vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarve në rastin ‘Posta’

 

Gjykata Themelore më datë 21 shtator 2021 ka shpallur vendimin lirues ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si ‘Posta’.

Kundër këtij aktgjykimi ka paraqitur ankesë në Apel prokuroria, me pretendimet se janë shkelur dispozitat ligjore dhe procedurale.

Prokuroria me ankesë ka kërkuar nga shkalla e dytë që këtë çështje penale ta kthejë në rigjykim dhe vendosje nga shkalla e parë.

Kujtojmë se ky rast veç se ishte kthyer njëherë në rivendosje nga Apeli në vitin 2019.

Kundër ankesës së prokurorisë, kanë paraqitur përgjigje në ankesë mbrojtësit e të akuzuarve duke kërkuar nga Apeli që të vërtetojë vendimin e Themelores.

Në arsyetimin e vendimit vërtetues të Apelit thuhet se shkalla e dytë ka vlerësuar se pretendimet ankimore të prokurorisë sa i përket shkeljeve të dispozitave nuk qëndrojnë, përderisa prokuroria në ankesë nuk ka paraqitur asnjë shkelje konkrete.

“Gjykata e Apelit ka vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë për sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj edhe ka konstatuar se prokuroria speciale në ankesën e parashtruar nuk ka specifikuar asnjë shkelje konkrete” – thuhet në vendim.

Gjithashtu pretendimet ankimore të prokurorisë sa i përket vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike Apeli i ka vlerësuar gjithashtu si të pa bazuara.

“Lidhur me pretendimet ankimore të prokurorisë për vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji i Gjykatës së Apelit i ka vlerësuar këto pretendime dhe ka gjetur se nuk janë të bazuara” – thuhet në vendim.

Prokuroria Speciale e ngarkonte Ejup Qerimin se nga muaji shkurt i vitit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, duke qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij me qëllim që t’i shkaktonte dëm kompanisë “Dardafon.net”, tani “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën e lidhur më 16 janar 2009.

Objekt i kësaj kontrate ishin liferimi i SIM-kartelave, blloqet e numeracionit dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishte marrë vendim më 18 korrik 2013, për rezervimin e serisë së numeracionit  jo-gjeografik mobil 045xxx xxx për përdorimin e mëtejshëm nga operatori Z-Mobile.

Mirëpo, i pandehuri Ejup Qerimi sipas aktakuzës kishte bërë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, e cila padi ishte refuzuar dhe vendimi kishte marrë formën e prerë.

Më pas ishte zhvilluar procedura në Arbitrazh, ku më 19 dhjetor 2016 sipas këtij vendimi Telekomi i Kosovës ishte detyruar të paguajë shumën prej 32,856,407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”.

Ndërsa Agron Mustafën Prokuroria e akuzonte se që nga data 19 shkurt 2015, pasi është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i PTK-së e deri me datën 24 maj 2017, kishte lidhur marrëveshje për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

Sipas Prokurorisë, Agron Mustafa me qëllim që t’i shkaktojë dëm “Dardafon.net, nuk kishte zbatuar kontratën e datës 16 janar 2009.

Lidhur me vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016, Agron Mustafa edhe pse ishte në dijeni se ndaj këtij vendimi nuk ishte e lejuar ankesa  kishte angazhuar  ‘’Studio Ligjin’’ që të parashtronte ankesë në Gjykatën e Lartë Angleze, e cila gjykatë e kishte hedhur ankesën dhe kishte obliguar Telekomin e Kosovës që të paguajë shumën prej 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net” tani Z-Mobile, duke mos llogaritur shpenzimet profesionale që kapin shumën prej 198,323.06 euro dhe 65,000.00 funta për Gjykatën angleze.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj akuzohej se duke qenë kryesues i bordit të drejtorëve të PTK-së, nuk ka përmbushur detyrimin e tij me qëllim që të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile, t’i shkaktojë dëm.

Sipas Prokurorisë Rexhë Gjonbalaj nuk kishte përmbushur kontratën e datës 16 janar 2009, nuk kishte respektuar vendimin e ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, si dhe nuk kishte përmbushur vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016 me të cilën Telekomi i Kosovës obligohej t’i paguante 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”, e njohur më vonë se Z-Mobile.

Seanca fillestare ishte mbajtur më datën 27 shtator 2018 në të cilën 3 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Me datën 7 nëntor 2018 ishin parashtruar kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës, pasi që e njëjta sipas të akuzuarve nuk përmbante as dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit kishin kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës.

Më 18 dhjetor 2018, gjykatësi Lutfi Shala kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarve për  hedhjen e aktakuzës  dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve ndërsa të dëmtuarën “Dardafon.net”, tani Z-Mobile e kishte udhëzuar në kontest civil.

Më 4 shkurt 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e prokurorit të shtetit  dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK