Seanca për PTK - Z-Mobile

Drejt fundit rasti ndaj ish kryeshefave të PTK-së

Ka përfunduar procedura e shqyrtimit të provave në rastin e njohur si “PTK-Z-Mobile”.

Në Gjykatën e Prishtinës ka përfunduar shqyrtimi i provave materiale në rastin ku ish krye shefat e PTK-së Rexhë Gjonbalaj, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Blerim Devolli, aksionar në kompaninë Z-Mobile, i ftuar në seancë edhe si dëshmitarë edhe si i dëmtuar i tha trupit gjykues se ai nuk e ndjen vetën të dëmtuar, pasi që sipas tij, PTK tani është duke e paguar dëmshpërblimin sipas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

Pas dëgjimit të të dëmtuarit/dëshmitarit, Prokurori Special, Naim Abazi propozoi që të gjitha provat e rastit të konsiderohen të lexuara, pasi që çështja është kthyer në rigjykim.

Ndonëse me propozimin e Prokurorit u pajtuan të akuzuarit, mbrojtësit e tyre dhe përfaqësuesi ligjor i PTK-së, kështu nuk vlerësoi Gjykata.

Përkundër kërkesës së palëve, kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, mori vendim që provat të lexohen nën arsyetimin se trupi gjykues ka pësuar ndryshim në përbërje, andaj provat u lexuan përsëri.

Ish-krye shefi i PTK, Ejup Qerimi, i akuzuar në këtë rast, i propozoi Gjykatës që si provë të merret komunikimi në mes të PTK-së dhe “Monaco Telecom”, si dhe aktvendimi i Gjykatës Themelore së Prishtinës që ka të bëjë me padinë e PTK-së ndaj ARKEP.

Lidhur me këtë propozim, Gjykata mori aktvendim që propozimi të aprovohet dhe këto prova të administrohen.

Edhe mbrojtja e të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, propozoi që si provë materiale të merret kundërshtimi kundër propozimit për njohjen e arbitrazhit si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së prokurorit të shtetit.

Edhe për këtë propozim, Gjykata mori aktvendim që edhe këto prova të administrohen.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet me 16 shtator 2021.

Prokuroria Speciale e ngarkon Ejup Qerimin se nga muaji shkurt i vitit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, duke qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij me qëllim që t’i shkaktonte dëm kompanisë “Dardafon.net”, tani “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën e lidhur më 16 janar 2009.

Objekt i kësaj kontrate ishin liferimi i SIM-kartelave, blloqet e numeracionit dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishte marrë vendim më 18 korrik 2013, për rezervimin e serisë së numeracionit  jo-gjeografik mobil 045xxx xxx për përdorimin e mëtejshëm nga operatori Z-Mobile.

Mirëpo, i pandehuri Ejup Qerimi sipas aktakuzës kishte bërë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, e cila padi ishte refuzuar dhe vendimi kishte marrë formën e prerë.

Më pas ishte zhvilluar procedura në Arbitrazh, ku më 19 dhjetor 2016 sipas këtij vendimi Telekomi i Kosovës ishte detyruar të paguajë shumën prej 32,856,407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”.

Ndërsa Agron Mustafën Prokuroria e akuzon se që nga data 19 shkurt 2015, pasi është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i PTK-së e deri me datën 24 maj 2017, kishte lidhur marrëveshje për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

Sipas Prokurorisë, Agron Mustafa me qëllim që t’i shkaktojë dëm “Dardafon.net, nuk kishte zbatuar kontratën e datës 16 janar 2009.

Lidhur me vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016, Agron Mustafa edhe pse ishte në dijeni se ndaj këtij vendimi nuk ishte e lejuar ankesa  kishte angazhuar  ‘’Studio Ligjin’’ që të parashtronte ankesë në Gjykatën e Lartë Angleze, e cila gjykatë e kishte hedhur ankesën dhe kishte obliguar Telekomin e Kosovës që të paguajë shumën prej 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net” tani Z-Mobile, duke mos llogaritur shpenzimet profesionale që kapin shumën prej 198,323.06 euro dhe 65,000.00 funta për Gjykatën angleze.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj akuzohet se duke qenë kryesues i bordit të drejtorëve të PTK-së, nuk ka përmbushur detyrimin e tij me qëllim që të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile, t’i shkaktojë dëm.

Sipas Prokurorisë Rexhë Gjonbalaj nuk kishte përmbushur kontratën e datës 16 janar 2009, nuk kishte respektuar vendimin e ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, si dhe nuk kishte përmbushur vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016 me të cilën Telekomi i Kosovës obligohej t’i paguante 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”, e njohur më vonë se Z-Mobile.

Seanca fillestare ishte mbajtur me datën 27 shtator 2018 në të cilën 3 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Me datën 7 nëntor 2018 ishin parashtruar kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës, pasi që e njëjta sipas të akuzuarve nuk përmbante as dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit kishin kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës.

Më 18 dhjetor 2018, gjykatësi Lutfi Shala kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarve për  hedhjen e aktakuzës  dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve ndërsa të dëmtuarën “Dardafon.net”, tani Z-Mobile e kishte udhëzuar në kontest civil.

Më 4 shkurt 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e prokurorit të shtetit  dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.