Gjykimi i Shefqet Krasniqit | FRoto: KALLXO.com

Dëshmitaret Mungojnë në Gjykimin e Shefqet Krasniqit

Në gjykimin e Shefqet Krasniqit nuk ishin të pranishëm dëshmitaret Minire Heta dhe Nasere Ademi.

Në gjykatë u tha se Nasere Ademi ndodhej jashtë vendit.

Prokurori Elez Blakaj propozoi që të lexohen deklaratat e mëhershme të këtyre dëshmitareve në mënyrë që të ecet përpara me provat tjera.

Avokati Sevdali Zejnullahu nuk e kundërshtoi leximin e deklaratave, por vuri në dukje se mbrojtja kështu nuk ka mundësinë e përballjes me dëshmitë.

“Parimi i ekonomizimit të kohës do të ishte në favor të të mbrojturit tim duke pasur parasysh faktin se për ne si mbrojtje po përballemi me këtë aktakuzë të pabazuar me më shumë se tre ose katër vite, por megjithatë ne si mbrojtje nuk kemi pasur mundësinë e përballjes me dëshminë”, tha avokati Zejnullahu.

Avokati më tutje tregoi se do të pajtohet me çfarëdo vendimi që merr gjykata në lidhje me propozimin e prokurorit Blakaj.

“Megjithatë, pajtohemi me çfarëdo mendimi që merr gjykata dhe nuk e kundërshtojmë leximin e provave duke rezervuar të drejtën në dhënien e vërejtjeve lidhur me përmbajtjen e tyre”, tha Zejnullahu.

Gjykata pastaj vendosi të lexohen deklaratat e mëhershme të dy dëshmitareve.

Sipas vendimit të gjykatës, do të lexohen deklarata e Minire Hetës e dhënë në polici më datën ‎10 gusht 2016, deklarata e dëshmitares Nasere Ademi po ashtu e dhënë në polici më datën ‎20 korrik 2016, e gjithashtu edhe dëshmitë e dhëna në prokurori në bazë të audio dhe video-incizimit në dy CD të datave ‎31 janar 2017 dhe ‎01 shkurt 2017.

Në seancën e kaluar një dëshmitar pretendoi se vëllai i i tij iu bashkua luftës në Siri, i nxitur nga ligjëratat e Shefqet Krasniqit.

Në seancën e zhvilluar më 14 dhjetor 2017, KALLXO.com raportoi se Shefqet Krasniqi ishte deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Në aktakuzë konstatohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.  Sipas aktakuzës, Krasniqi ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57 €.

Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi që është deklaruar i pafajshëm.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rrjedhën e hetimit ndaj Shefqet Krasniqit ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.