Fitore Pacolli, VV.

Deputetja e VV-së e pyet Shpend Ahmetin për hapjen e çerdheve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli i është drejtuar ish partiakut të saj Shpend Ahmeti lidhur me dy çerdhet në komunën e Prishtinës.

Pacolli përmes një komunikate e ka pyetur të parin e Prishtinës se pse nuk po i hap çerdhet për fëmijët e lagjeve Kodra e Trimave dhe Tophane.

“Të gjitha procedurat për hapjen e çerdheve me bazë në komunitet “Zemrat” dhe “Yjet e Vegjël” kanë përfunduar qysh në mandatin e parë dhe patëm premtuar që do t’i hapim në shtator të vitit 2017”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Sipas saj, nevojiten dy javë punë për t`i hapur dyert këto dy çerdhe.

“Për çfarë arsye po i mban mbyllur? Po të ishte punuar me ritmin siç punonim në mandatin e parë tani jo që do të ishin hapur këto dy çerdhe por do të kishim edhe së paku katër të tjera gati për t’u hapur”, ka shkruar deputetja e LVV-së.