Igor Soltes. Foto: Facebook
Deputeti i Parlamentit Europian: Vrasja e Ivanoviqit të Mos Inkurajojë Hakmarrje e Dhunë
Deputeti i Parlamentit Europian, Igor Soltes, dënoi vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, dhe u bëri thirrje institucioneve që t’i sjellin fajtorët para drejtësisë.
Soltes, raportues për Kosovën në PE, tha se është i tmerruar për vrasjen e politikanit serb, e cila ndodhi sot në mëngjes në Mitrovicë të Veriut.
“E dënoj fuqimisht vrasjen e cila i vë hije të zezë sundimit të ligjit dhe dialogut. U bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante që të bëjnë gjith֛çka që është e mundur që fajtorët t’i sjellin para drejtësisë”, tha Soltes.
Ai gjithashtu i shprehu ngushëllime familjes së viktimës.
“Ky akt i tmerrshëm nuk duhet të inkurajojë hakmarrje dhe dhunë e cila do të mund ta kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Përgjigja e drejtë është dialogu, bashkëbisedimi dhe sundimi i ligjit”, tha Igor Soltes.