Seanca e Kuvendit, 6 mars 2019

Deputetët nderojnë të rënët në masakrën e Poklekut

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme i kanë nderuar me një minutë heshtje të rënët nga masakra e Poklekut në Drenas.

Kjo u bë me kërkesë të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

“Sot në Poklek të Drenasit përkujtohet masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Republikën e Kosovës gjatë vitit 1999, ku 54 anëtarë të familjes Muqolli bashkë me mysafirët që i kanë pasur prezentë janë pushkatuar, janë karbonizuar dhe një lopatë hi është varrosur në një varr të përbashkët nga 54 anëtarë”, tha ajo.

Musliu kërkoi edhe që Kuvendi në orën 12:30 të shkojë në pauzë për shkak se do të marrin pjesë në akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar dy masakrat e luftës në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se edhe pas dy 20 vitesh ende nuk janë dënuar kryerësit e saj.

“Para 20 vjetëve forcat ushtarake dhe policore serbe kryen dy masakra të tmerrshme mbi popullatën civile në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër. Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia”, ka shkruar Thaçi.

https://kallxo.com/thaci-askush-seshte-denuar-per-masakrat-ne-poklek-dhe-cikatove-te-vjeter/

.