Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

Deputetët e Pakicave Kërkojnë Afat të Tretë Regjistrimi në UP

Deputetët që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kosovë kanë kërkuar një afat të tretë regjistrimi për studentë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë një dëgjimi sot në një komision parlamentar.

Por kërkesa e tyre është refuzuar nga rektori i universitetit, Marjan Dema.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema kanë raportuar sot para Komisionit për të Drejtat, Interesat  e Komuniteteve dhe për kthim lidhur me pranimin e studentëve të komunitetit jo shumicë në afatin e parë dhe të dytë për regjistrim në fakultete.

Ministri Bajrami tha se kjo ministri ka zbatuar legjislacionin për kuotën e pranimit të studentëve nga komunitetet jo shumicë që është 12%.

“Ne kemi bërë gjithçka që është e mundshme, e kemi rregulluar bazën ligjore, i kemi vënë kategoritë ligjore, e kemi ndërtuar  këtë standard, kemi shkuar  mbi standard sepse standardi në Administratën Publike është 10 për qind ne kemi shkuar në 12 për qind, ua kemi hapur rrugën edhe dy komuniteteve të reja, komunitetit malazez dhe komunitetit kroat dhe i kemi respektuar në plotni në të gjitha konkurset publike”, deklaroi ministri Bajrami.

Ndërkaq Rektori Dema ka njoftuar për shifrat e deri më tanishme të pranimit studentëve nga komuniteti jo shumicë në dy afatet, duke përjashtuar mundësinë e organizimit të një afati të tretë për plotësimin e kuotës.

“Afati i tretë nuk mund të realizohet,  dy afate i kemi pasur ,është e tepërt sepse mund të paraqitet një numër i vogël i studentëve, vullneti ekziston por nuk ka nevojë sepse ata që i kanë plotësuar kushtet e kanë bërë këtë në afatet paraprake”, është përgjigjur Dema kërkesës së deputetes Müfera Şinik.

Rektori gjithashtu ka përmendur mundësitë e shumta që janë ofruar për lehtësimin e regjistrimit për këto komunitete që nga ulja e pragut në 30% nga 40% sa është për komunitetin shumicë.

Nga shifrat zyrtare nga 904 sa kanë qenë të paraparë të pranohen me kuotë në UP gjithsej 124 janë pranuar.