Gjykimi për vrasjen në Podujevë | Foto: KALLXO.com

Dënohet për Vrasje të ish-Mikut

I akuzuari për vrasjen e Ismet Sfishtës, Hysen Sherifi, u dënua me gjithsej 5 vjet e 6 muaj burgim.

Për veprën penale të vrasjes u dënua me 5 vjet burgim, ndërsa në këtë dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim për 2 vjet e 6 muaj e 14 ditë.

Ndërkaq, për veprën e dytë penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve iu shqiptua dënimi prej 1 viti.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni deklaroi se gjykata ka vendosur që Hysen Sherifit t’i shqiptohet dënimi unik prej 5 vjet e 6 muaj burg për të dy veprat penale.

I akuzuari Sherifi po ashtu u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor prej 200 eurove.

Ndër të tjerash, gjykatësja Hasaj- Hyseni tha se me rastin e marrjes së këtij vendimi, gjykata ka pasur parasysh edhe provokimin qe i është bërë Sherifit nga viktima, tani i ndjeri Ismet Sfishta.

Hysen Sherifi akuzohet se me 16 shtator 2016 afër shtëpisë së tij në Rrugën “Hasan Ramadani” në Podujevë me dashje dhe për motive të ulëta edhe pse në atë çast nuk ka qenë i rrezikuar drejtpërdrejt, e ka privuar nga jeta Ismet Sfishtën.

Sipas aktakuzës, Hyseni ka vepruar në atë mënyrë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy familjeve dhe për shkak se djali i tij ishte shkurorëzuar nga vajza e tani të ndjerit Ismet Sfishta.

“Derisa Hyseni ishte kthyer nga qyteti i Podujevës pasi që i kishte hapur dyert e oborrit për të hyrë brenda me veturën e tij, me t’u afruar pranë veturës se tij nga drejtimi i kundërt kishte ardhur edhe i ndjeri Ismeti me kamionetën e tij”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i ndjeri e kishte ndalë kamionetën dhe kishte bërë ndërrimin e shpejtësisë në automjetin e tij për të lëvizur mbrapa, mirëpo në atë moment Hyseni nga vetura e tij e kishte marrë armën dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të tani të ndjerit Ismet Sfishta, me ç’rast një predhë e tejshkoi parafangon dhe e goditi në pjesën e epërme të gjoksit në qafë të ndjerin.