Policia në trafik (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Dënim me burgim me kusht për rreshterin policisë në Suharekë

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti  i Krimeve të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit  dënues me kusht ndaj të akuzuarit  me iniciale H.M. nga fshati Reshtan Komuna e Suharekës, për shkak se  ka kryer  veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422  para.1 të KPRK-së.

I akuzuari me iniciale H.M. nga fshati Reshtan Komuna e Suharekës, gjykata e ka shpallur fajtor  dhe e ka dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 5 (pesë) muajve i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin e verifikimit prej 1(një) viti nëse i pandehuri nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas Aktakuzës H.M. me datën 07.05.2016, rrethe orës 00:10 minuta në Suharekë në cilësinë e rreshterit në Stacionin Policor në Suharekë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin  zyrtar nuk i përmbush detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për M.P. me ç’rast i shkakton dëm N.B.  në shumën prej 156 euro, në atë mënyrë që i dëmtuari me iniciale N.B. pasi raporton se janë vjedhur një palët me 39 thasë çimento, gjatë një pike të kontrollit të policisë është ndaluar M.P. i cili ka qenë duke drejtuar kombin me ngjyrë të kuqe dhe  me 39 thasë çimento të ngarkuar që kanë qenë të vjedhur në oborrin e shtëpisë të dëmtuarit N.B., ashtu që përkundër këtyre fakteve  rreshteri i policisë me iniciale H.M. duke shfrytëzuar autoritetin e tij nuk lejon që të ndalohet M.P.  dhe të sekuestrohet përkohësisht çimento e vjedhur e cila dot të shërbej si provë materiale gjatë hetimeve dhe kombin si mjetë me të cilën është kryer vepra penale.