Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Dënim me Kusht për Armëmbajtje pa Leje

Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi dënimin me kusht prej një viti Arsim Istogut.

Istogu  duhet të mos kryejë vepra tjera penale në periudhën prej dy vjetësh, nëse nuk dëshiron që dënimin e shqiptuar ta vuajë prapa grilave.

Istogu akuzohej nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut tani e transformuar në prokurori themelore  se më 10 korrik 2009 në fshatin Vërbovc të Gllogovcit pas një mosmarrëveshjeje me Driton Avdiun ka nxjerrë revolen e tipit “TT” që e kishte pa leje dhe e ka drejtuar drejt Avdiut, duke e përgatitur për të shtënë me qëllim të frikësimit të të dëmtuarit.

Sipas aktakuzës, pastaj kishte ndërhyrë i pranishmi në vendin e ngjarjes Xhevat Rukiqi që ia kishte kapur dorën të akuzuarit duke i kërkuar ta lëshojë revolen.

Mosmarrëveshja mes Arsim Istogut e Driton Avdiut kishte ndodhur pasi Istogu pretendonte se Avdiu ia kishte zënë rrugën me kamionin e tij, për të mos e lejuar kalimin e Istogut po ashtu me kamion.

I akuzuari gjatë seancave të mbajtura të procesit gjyqësor nuk e ka pranuar që në ditën kritike të 10 korrikut 2009 të ketë pasur revole te tipit “TT” siç është e përshkruar ne aktakuzë, por ka thënë se ajo ishte lodër.