Takimi i kryeministrit me kryetarin e OEK-ut - Foto: KALLXO.com

Demarkacioni Mund të Shkojë në Kuvend Para 3 Gushtit

Demarkacioni mund të procedohet në Kuvendin e Kosovës para datës 3 gusht vetëm nëse këtë e kërkon vetë Kuvendi, ka deklaruar sot shefi i Qeverisë, Isa Mustafa.

I pyetur se a do të procedohet për ratifikim në Kuvend Projektligji për demarkacionin me Malin e Zi para ditës kur është paraparë të zhvillohet debat në Kuvend rreth shënjimit të vijës kufitare, Mustafa “topin” e hodhi tek organi legjislativ.

“Varësisht prej kërkesës së Kuvendit. Nëse Kuvendi e kërkon para kësaj date ne do t’ia dërgojmë”, tha kryeministri pas një takimi me zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës, të prirë nga kryetari i saj Safet Gërxhaliu.

Kryeministri Mustafa tha se tani ka informata të mjaftueshme për këtë temë.

“Kemi pasë një situatë paradoksale, njerëzit (opozita) thoshin që Kosova ka humbë 8 mijë hektarë, por kur pyesnim pse, thoshin se ne nuk kemi informata sepse nuk e kemi dokumentacionin”, shtoi ai.

http://kallxo.com/debati-ne-kuvend-per-demarkacionin-3-gusht/

Ndonëse konferenca ishte e thirrur për çështje ekonomike, edhe kryetari i OEK-ut foli për demarkacionin.

Safet Gërxhaliu tha se përkundër agjendës së ngarkuar politike, “ekonomia po depërton në diskutimet me kryeministrin”.

Ndërsa, i pyetur se kush e ka fajin për dështimin e Projektligjit për investime strategjike, kryeministri tha se e ka të vështirë të përgjigjet.

“Për mua ka qenë e pakuptimtë, sepse është trajtuar gjatë në Kuvend. E kam të vështirë me sqaru dështimin e Ligjit për investime strategjike”, tha shefi i Qeverisë, duke shtuar se ky Projektligji duhet të rikthehet edhe njëherë ne Kuvend.

http://kallxo.com/pauze-pasi-nuk-kalon-projektligji-per-investime/

Para konferencës, kryeministri Mustafa, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Financave dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, në takim me Gërxhaliun tha se diskutuan për indikatorët matës të bizneseve.

“OEK ka konstatuar që trendet janë më të mira dhe po rritet besimi. Kemi rritje të besimit dhe qytetarëve dhe perspektivën e biznesit. Konstatuam qe bashkëpunimi është shume i mirë”, theksoi i pari i ekzekutivit.

Mustafa shtoi se ka hapësirë të punohet sa i përket barazimit të kushteve të bizneseve të brendshme.

“U morëm vesh që në pikëpamje të legjislaturës së ardhshme do t’i bëjmë me konsultën e komunitetit të biznesit”, tha ai.

Ndërsa kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se po lind një epokë e re e optimizmit.

“Po lind një epokë e re e optimizmit. Viti 2015 dhe 2016 lirisht mund të shpallen vitet e dialogut publiko-privat”, theksoi ai.