Enver Hasani

Dema: Në Restorant u Vendos Kujt t'i Jepej Kontrata për Përkthimet e Librave

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema në gjykimin për mashtrim të ish-rektorit Enver Hasani në lidhje me tenderin për përkthimin e librave nga gjuha angleze për nevojat e UP-së, tha se kontratën e këtij tenderi e krijoi dhe e kontrolloi Enver Hasani.

“Me dhjetëra herë Enver Hasani më ka pyetur se çka po ndodh me tenderin e përkthimeve, afërsia e tij me këtë institut [fituesin e tenderit] është e mjaftueshme që dëshmon atë që thashë”, tha rektori Dema.

Dema më tutje deklaroi se në Restorantin “Te Pishat” u vendos që tenderi për përkthimin t’i jepej Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN).

“Është shpallë tenderi por dy herë ka dështuar, siç më kujtohet herën e tretë me këmbënguljen e Enver Hasanit është mbajtur dhe ne jemi takuar me agjencionin për prokurim  në restorant ‘Pishat’, e pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni që t’i jepet tenderi operatorit në fjalë”, tha Dema.

Ai tregoi më tutje se në takimin në restorant morën pjesë përveç tij edhe Enver Hasani, Hakif Veliu dhe personat që merren me prokurim në Universitetin e Prishtinës.

Dema tha se në takim është diskutuar që të shkohet me tender njëburimor, pra vetëm me një operator ekonomik për përkthim librash, ndërsa deklaroi më tutje se atëherë ka menduar që është me të vërtetë prioritet përkthimi i librave.

Rektori i UP-së tregoi cila ishte detyra e tij dhe e komisionit për organizim të punëve.

“Detyrë imja ka qenë vetëm të caktoj komisionin për organizim të punëve, ndërsa detyrë e komisionit ka qenë që të kontrollojë shërbimin për të cilin është bërë pagesa. Nuk ka qenë detyrë e tyre qe te merren me çmimet e shërbimeve”, tha rektori Dema.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Dëshmitari Marjan Dema tregoi në gjykatë se vetëm në vjeshtën e vitit 2009 kishte mësuar se ishte bërë ndryshimi i kontratës kur me ftesën e Enver Hasanit ishin takuar së bashku me Hakif Veliun në një restorant në Gërmi.

Po ashtu Marian Dema deklaroi se ketë kontratë për herë të parë e ka parë vetëm dy para dy ditëve kur mori dosjen për të ardhur në gjykim.

Më tutje Dema tregoi edhe për një takim tash në një restorant të Tiranës ku bëri të ditur se e kishte marrë vesh që tash dy të akuzuarit Enver Hasani e Albert Rakipi njiheshin mirë.

“Në atë ndejë e kanë revokuar të kaluarën e tyre ngase unë nuk kam marrë pjesë se nuk njihesha me ta. Ka qenë darkë, kanë biseduar ndërmjet vete, nuk është biseduar për kontratën”, tha Dema.

Në dhjetor të vitit 2015, Enver Hasani, Albert Rakipi e Hakif Veliu u deklaruan të pafajshëm.