Gjykimi i Enver Hasanit, Foto : KALLXO.com
Ekspertizë e Re në Gjykimin e Enver Hasanit
Në seancën e sotme ekspertizën e përpiluar për kontratat rreth librave të përkthyera për UP-në, për të cilat përveç Hasanit akuzohen edhe Albert Rakipi e Hakif Veliu e mbrojti hartuesja e saj Ferdeze Tërshnjaku.
Ekspertja duke iu përgjigjur pyetjes së Gazmend Nushit, avokatit të Albert Rakipit, tregoi se çfarë metode ka përdorur për ekspertizën e saj.
“Ekspertiza është bërë në bazë të metodës analitike,”tha Tërshnjaku.
I akuzuari Albert Rakipi e pyeti eksperten se sii ka bërë llogaritjet dhe a ka mundësi që në to të ketë gabime.
Ekspertja iu përgjigj se kalkulimet i ka bërë me kompjuter dhe se nuk ka mundësi të ketë ndonjë gabim në ekspertizën e saj.
Bajram Tmava e pyeti eksperten se a e kishte në posedim një urdhër pagese gjatë hartimit të ekspertizës së saj.
Ekspertja u përgjigj “jo nuk e kam pasur dhe po ta kisha nuk do të kishte ndikim në ekspertizë”.
Enver Hasani tha se nuk kishte pyetje për eksperten.
Në fund, pas dëshmisë së ekspertes, avokati Gazmend Nushi propozoi që gjykata ta caktojë një ekspertizë të re që do të përpilohet nga tre ekspertë.
Këtë propozim e kundërshtoi prokurorja, por trupi gjykues pranoi propozimin e avokatit Nushi
Ekspertiza e re u vendos që të hartohet nga dy ekspertë financiarë dhe një i përkthimeve nga gjuhët e huaja.
Seanca u shty në kohë të pacaktuar.
Enver Hasani së bashku me Hakif Veliun dhe Albert Rakipin akuzohen për mashtrim në lidhje me këto përkthime.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.
Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.
Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.
Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.