Enver Hasani

Enver Hasani Deklarohet i Pafajshëm

Para se ta deklarojnë pafajësinë, këtyre të treve iu lexua aktakuza nga prokurorja Drita Hajdari.

09:14

Pritet të Nisë Seanca Ndaj Enver Hasanit

Së shpejti pritet të nisë seanca fillestare e gjykimit të Enver Hasanit për mashtrim në detyrë.

Hasani që ishte nga viti 2009 deri në 2014 kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë. Pjesë e këtij gjykimi bashkë me Hasanin janë edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo kontratë është nënshkruar dhe vulosur nga Hakif Veliu, ndërsa Enver Hasani e ka dërguar të njëjtën në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi.

Kjo seancë ishte paraparë të zhvillohej më 27 nëntor, mirëpo për arsye se atë ditë u pushua nga institucionet për Ditën e  Flamurit, seanca u shty për sot.

Betim Shala, avokati i Enver Hasanit tha për KALLXO.com më 29 nëntor se i mbrojturi i tij nuk mund të akuzohet për mashtrim në detyrë, ngase në kohën kur ishte rektor, pozita që ai kishte ishte e përjashtuar me ligj për të ndërhyrë në çështje të prokurimit.