Enver Hasani

Kelmendi: 48 Mijë Euro Dëmi i Shkaktuar UP-së

Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, ishte dëshmitari i radhës në gjykimin ku të akuzuar janë ish-rektori i UP-së, Enver Hasani, ish-shefi i Prokurimit, Hakif Veliu, dhe drejtori i Institutit ISN nga Tirana, Albert Rakipi.

Hasani, Veliu e Rakipi nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohen për mashtrim në detyrë lidhur me kontratën për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e Universitetit të Prishtinës.

Dëshmitari Kelmendi  nuk ishte plotësisht i qartë kur u pyet nga prokurorja, Drita Hajdari, nëse UP-ja ishte dëmtuar nga kontrata e lidhur me ISN-në.

“Kam deklaruar edhe në prokurori por deklaroj edhe tani se UP-së në bazë të raporteve të komisioneve të themeluara ka konstatuar se është dëmtuar materialisht nga ISN në vlerën rreth 48 mijë euro nëse nuk gaboj, dhe pas sjelljes së faturës së dytë në shumën prej 299 mijë euro UP ka refuzuar të bëjë kompensim për këtë faturë duke zbritur ose barazuar vlerën e dëmtuar me faturën e ardhur herën e dytë”, tha Kelmendi.

Esat Kelmendi tha se në këtë rast konsideron se UP-ja nuk ka kurrfarë obligimi financiar ndaj ISN-së, për shkak se ISN ose përfaqësuesi i tyre ka vënë në lajthitje Universitetin e Prishtinës duke sjellë faturën e kalkuluar me karaktere edhe pse ishte e shënuar me “F”, që nënkupton fjalë.

Kelmendi më pas tregoi se lidhur me këtë kontratë në mes të UP-së dhe ISN-së është duke u zhvilluar një kontest gjyqësor në departamentin civil.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe nga avokatët e të akuzuarve.

Avokati i Enver Hasanit, Bajram Tmava e pyeti dëshmitarin se a kishte paraqitur UP-ja kërkesë pasurore juridike lidhur me këtë rast.

“Jo me sa di unë jo”, ishte përgjigjja e Kelmendit.

Tmava e pyeti dëshmitarin edhe nëse veprimet e Enver Hasanit i kishin shkaktuar dëm UP-së dhe ndonëse kjo pyetje u kundërshtua nga prokurorja Hajdari, dëshmitari u përgjigj se UP-ja ishte dëmtuar nga instituti ISN.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe avokati i Albert Rakipit, Gazmend Nushi.

Pasi që vlera e kontratës ka qenë 500 mijë euro, a e dini se sa ka qenë shuma e tërësishme që ka paguar UP-ja për ISN-në?, ishte pyetja e avokatit.

“Më duket se ka qenë rreth 87 mijë euro”, u përgjigj dëshmitari.

Pasi mori këtë përgjigje, avokati Nushi e pyeti dëshmitarin se a do të thotë kjo se në llogarinë e UP-së kanë mbetur lidhur me atë kontratë edhe 413 mijë euro?

“Sigurisht që nuk është e thënë që të gjitha mjetet e zotuara të shpenzohen për një kontratë”, u përgjigj Kelmendi.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarit u administruan provat, ndërsa avokati i Albert Rakipit, Gazmend Nushi, propozoi si provë edhe korrespodencën e klientit të tij me zyrtarët e UP-së lidhur me kontratën por për këtë nuk u vendos nga gjykata me arsyetimin se kjo do të bëhet më vonë.

Gjithashtu, propozuar nga avokati Nushi por edhe nga prokurorja u vendos që të ftohet të dëshmojë ekspertja financiare Ferdeze Tërshnjaku.

Seanca e radhës është caktuar për 20 maj.

Sipas aktakuzës, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi – 1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi – 1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo kontratë është nënshkruar dhe vulosur nga Hakif Veliu, ndërsa Enver Hasani e ka dërguar të njëjtën në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi.

Në seancën e 8 dhjetorit 2015, tre të akuzuarit qenë deklaruar të pafajshëm.

http://kallxo.com/enver-hasani-deklarohet-i-pafajshem/

http://kallxo.com/fjala-hyrese-ne-gjykimin-e-enver-hasanit/

http://kallxo.com/deshmitari-paguam-shume-libra-sesa-morem/