Daçiq: Vizita e Thaçit në Ujman ishte provokim

Ministri i Jashtëm i Serbisë tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës në Kosovë se vizita e presidentit Hashim Thaçi te Liqeni i Ujmanit ishte një provokim i popullatës serbe në veri të Kosovës.

Ivica Daçiq tha se eskalimi i situatës është shmangur vetëm falë mesazheve që kanë shkuar nga autoritetet serbe, sidomos nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Sipas shefit të diplomacisë serbe, kjo vizitë ishte shkelje e marrëveshjes. Daçiq kritikoi qëndrimin e KFOR-it rreth vizitës së Thaçit.

Daçiq ka përmendur edhe mosformimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kanë kaluar mbi 2000 ditë nga marrëveshja për Asociacionit, e Prishtina ende nuk e ka formuar Asociacionin”, theksoi në fjalën e tij ministri i Jashtëm serb.

Daçiq përmendi raporte që sipas tij flasin për arrestime të të kthyerve me akuza të rreme, sulme ndaj priftërinjve, dëmtim të memorialëve, rrënim të varrezave, diskriminim institucional.

“Këto janë pengesat me të cilat janë ballafaquar ata që synojnë të kthehen”, shtoi ai.

Daçiq foli edhe për tërheqjen nga vende të ndryshme të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai tha se 10 shtete e kanë tërhequr njohjen ose po e shqyrtojnë këtë.

Lidhur me përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, Ivica Daçiq tha se Kosova nuk dëshiron të hyjë në këtë organizatë për ta luftuar krimin, “por për ta paraqitur veten si shtet”.

Rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi, Daçiq tha se vendi i tij është për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët dhe i ftoi anëtarët e KS të OKB-së të ndihmojnë.