Ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë javë. Foto: Beta.

Çitaku: Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, iu përgjigj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili tha se vizita e presidentit Thaçi në Liqenin e Ujmanit ishte provokim.

Çitaku tha se gjatë kësaj vizite të presidentit nuk ka pasur asnjë incident.

“Incidenti ndodhi të nesërmen kur lokali ku Thaçi piu kafe u sulmua nga strukturat paralele”, shtoi ajo.

Ambasadorja Çitaku foli edhe për rolin e UNMIK-ut, duke thënë se ai nuk është më mision paqeruajtës as administrues.

“Resurset e kësaj organizate të OKB-së mund të ofrohen për ndihmë në zgjidhje të konflikteve të tjera në botë”, tha ajo.

Lidhur me mbledhjet e KS të OKB-së për Kosovën, Vlora Çitaku theksojnë se këto nuk i ndihmojnë paqes, as dialogut.

“Kjo tryezë është keqpërdorur si një platformë për të ndikuar në audiencat në vendet tona”, tha ajo.

Vlora Çitaku foli edhe rreth synimeve të Policisë së Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

“Nuk mund të pritet nga Kosova të luftojë krimet pa qenë pjesë e INTERPOL-it. Jemi të përgatitur për INTERPOL jo vetëm për të mirën e Kosovës por edhe tërë regjionit, për t’i bërë më të sigurt”, tha Çitaku, duke përmendur operacionin e Policisë së Kosovës që parandaloi komplote terroriste edhe jashtë vendit.

Sa i përket çështjes së Ushtrisë, ambasadorja Çitaku tha se Kosova Ushtrinë nuk po e bën për të hyrë në ndonjë luftë por për t’i kontribuar sigurisë së saj, të rajonit dhe asaj ndërkombëtare.

Ajo e vlerësoi shqetësuese fushatën për frikësimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe familjarëve të tyre.

“Serbia s’ka lënë gur pa rrotulluar për ta ndalur transformimin e FSK-së. Asnjë shtet, as qytetar përveç atyre  të Kosovës nuk kanë veto për Ushtrinë e Kosovës”, theksoi ambasadorja kosovare në Washington në mbledhjen e KS të OKB-së.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadorja tha se Serbia nuk po i përmbahet asnjë marrëveshjeje të arritur në Bruksel.

Sipas saj, dialogu duhet të përfundojë me marrëveshje për paqe dhe me njohje reciproke.

Lidhur me incidentet e përmendura nga Daçiq, Vlora Çitaku kujtoi incidentet me të cilat janë përballur qytetarët shqiptarë të Kosovës në Serbi, sikur rrahjen e një të riu vetëm pse ka folur shqip, rastin me një foshnje jeta e të cilës u rrezikua nga autoritetet serbe vetëm pse avioni po shkonte drejt Kosovës, sulmet ndaj autobusëve me udhëtarë kosovarë, etj.

“Fqinjët e veriut mund të kenë dyshimet e veta por ne e dimë drejtimin tonë – Europa”, tha ajo.

Ambasadorja reagoi edhe ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm serb rreth caktimit të Fatmir Limajt për kryesues të delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë.

“Ne vendosim kush na përfaqëson e jo ata në Beograd. Limaj u lirua dy herë nga Gjykata e Hagës dhe ne në Kosovë mund të shikojmë prapa dhe të mos turpërohemi për të kaluarën”, theksoi ajo.

Vlora Çitaku përmendi edhe rastin e Vasfije Krasniqit, e cila publikisht rrëfeu rastin e përdhunimit të saj më 1999 kur ishte vetëm 16 vjeçe nga forcat serbe.

“Kosova kurrë nuk do të heqë dorë, jemi republikë e re, nuk jemi perfektë, por nuk do të heqim dorë për t’u bërë më e mirë për të gjithë qytetarët e saj”, tha Çitaku.