Bytyqi premton se do t’i kërkojë UP-së ndarje të kuotës për studentët shqiptarë nga Mali i Zi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot është takuar me një delegacion nga Ministria për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, të cilëve u ka premtuar shqyrtimin e kërkesës për ndarjen e kuotave për studentët shqiptarë në Universitetin e Prishtinës.

Bytyqi ka thënë se me këtë delegacion kanë biseduar edhe rreth gjendjes së arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë.

“Përtej dëshirës, Ministria e Arsimit e ka edhe obligim që të ndihmojë nxënësit shqiptarë në Mal të Zi në çfarëdo forme dhe për këtë shpreha gatishmërinë time që të gjejë edhe bashkëpunime të reja, me qëllim që të ofrohet arsim më cilësor për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Mal te Zi”, ka deklaruar ai.

Ministri Bytyqi ka bërë të ditur se ka premtuar se do të diskutojë me Universitetin e Prishtinës për mundësinë e realizimit të ndarjes së kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi.

“Në fund të këtij takimi, biseduam edhe për mundësinë e ofrimit të trajnimeve në Kosovë për mësimdhënësit shqiptarë të Malit te Zi”, ka shtuar ministri.