Bytyqi: Çështja e mosakreditimit të universiteteve të adresohet në Qeveri

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka mbajtur një konferencë urgjente pas vendimit të Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) për mosakreditimin institucional të 3 universiteteve publike dhe 4 kolegjeve private.

Sipas Bytyqit, Ministria ende nuk ka ndonjë informatë zyrtare mirëpo shtoi se ky është vendim i KShC-së dhe jo i Ministrisë.

“Ne akoma nuk kemi informacione zyrtare megjithatë e pamë të arsyeshme të njoftojmë opinionin: ajo që duhet të qartësohet, këto nuk janë vendime të MAShT-it, sepse Agjencia e Akreditimit gjegjësisht KShC merret me vendime sipas ligjit dhe procedurave që janë në fuqi”, tha ai.

Sipas tij është problematike sesi  KShC ka marrë këtë vendim pasi që sipas tij ata së pari duhet të sqarohen tek Agjencia Kundër Korrupsionit për përbërjen e anëtarëve të vetë Agjencisë.

“Ne e kemi pasur një shkresë nga Agjencia Kundër korrupsion për disa çështje që janë ngritur në këtë shkresë dhe që ka pasur nevojë që KSHC t’i qartësoj sepse në rekomandimet e Agjencisë Kundër Korrupsion thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen e aktuale të  KShC-së dhe ne i kemi drejtuar në mënyrë që këto çështje të qartësohen dhe të mos ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha ai.

Sipas tij, të premten KShC ka marrë vendim që të mos ketë vendimmarrje derisa KShC-ja të zgjidh problemin e përbërjes.

“Në mbledhjen e së premtes pra të datës 12 korrik që ka mbajt KShC dhe për të cilën ne jemi njoftuar përmes shkresës së kryetarit që na ka ardhur të dielën dhe ku jemi të informuar se pas marrjes së letrës nga MAShT, KShC ka marrë vendim që të pres sqarime shtesë nga AKK dhe nuk do të ketë vendimmarrje deri më datën 22 korrik”, shtoi ai.

Bytyqi kërkoi që Qeveria të marrë hapa për këtë vendim të sotëm të KShC-së.

“Vendimi që ka dalë sot bie në kundërshtim të plotë vetë Këshilli Shtetëror i Cilësisë nga vendimi që e ka marrë të premten. Ne u njoftuam që tash nga ky vendim janë prekur tri universitete publike që do të thotë nuk kanë akreditim institucional për një vit pasi që kemi një lloje kundërshtimi të dy vendimeve nga vetë këshilli, presim që kjo çështje të adresohet në Qeveri dhe të shohim hapat e mëtutjeshëm”, theksoi ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Pos Universiteteve Publike, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, vendosi edhe për kolegjet private mbi rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar, të cilët vlerësuar nëse institucionet e arsimit të lartë privat duhet të kenë akreditim institucional për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që t’ia tërheq akreditimin institucional për vitin akademik 2019-2020 Kolegjit Fama, Kolegjit Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com dhe pas raportimit ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike.