Rrethojat e një burgu - Foto: REL/Shutterstock

Biznesmeni kroat i dënuar për ryshfet arratiset në Bosnje

Sipërmarrësi kroat Drago Tadiq, i shpallur fajtor për përpjekjen për të ndikuar në vendimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në rastin kundër gjeneralit të viteve 1990 Branimir Glavas, është larguar nga Kroacia dhe ka kërkuar transferimin e dënimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, tha për BIRN të premten avokati i tij, Zdravko Dumanciq.

Në mars të vitit 2017, Gjykata e Lartë e dënoi Tadiqin me dy vjet burg se u përpoq të korruptonte zyrtarët e gjykatës për të ndikuar në vendimin e Glavasit në vitin 2010.

Pas dy vonesash për shkak të problemeve mjekësore, ai duhej të arrinte në burgun e Remetinecit në Zagreb më 26 shtator për të filluar të vuante dënimin e tij, por nuk u paraqit.

Më 2 tetor, Tadiq paraqiti një apel, nëpërmjet avokatit të tij Dumanciq, kundër një gjyqtari i cili vendosi të refuzojë kërkesën e tij për një shtyrje tjetër.

Së bashku me apelin, Tadiq paraqiti një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për transferimin e dënimit të tij në Bosnje dhe Hercegovinë, duke thënë se ai tani është në fshatin Kongora në komunën Tomislavgrad.

I pyetur se pse Tadiç, i cili ka dy shtetësi, vendosi se ai dëshiron ta vuajë dënimin në Bosnje, Dumanciq tha se nuk e di.

Gazeta kroate Vecernji list njoftoi se do të lëshohet një urdhër arrestimi për Tadiqin dhe ai do të konsiderohet i arratisur derisa autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë të vendosin nëse ai mund ta vuajë dënimin e tij në vend.

OJQ-ja Documenta – Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën me qendër në Zagreb tha se sipas aktakuzës në gjyqin e tij, Tadiç organizoi një grup njerëzish përpara vendimit të Gjykatës së Lartë në rastin e Glavasit “me qëllim sigurimin e një vendimi më të favorshëm për Glavasin, në një përpjekje për të gjetur persona që mund të korruptoheshin për të ndikuar te gjykatësit e gjykatës ose të korruptonte gjykatësit”.

Në atë kohë, Glavas, një gjeneral kroat i viteve 1990, lider partie i krahut të djathtë dhe një deputet në parlamentin kroat, ishte duke vuajtur dënimin me burg për urdhërimin e ekzekutimeve të 7 civilëve kryesisht serbë të Kroacisë në Osijek në vitin 1991, si një komandant i forcave të mbrojtjes së qytetit.

Gjykata e Lartë e dënoi atë në vitin 2010, por në janar të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese kroate anuloi vendimin.

Gjykata Kushtetuese nuk pretendoi se Glavas nuk ishte fajtor, por e anuloi vendimin për shkak se në gjyqin e tij ishte përdorur protokolli i gabuar nga Konventat e Gjenevës.

Në korrik të vitit 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e shkallës së parë të Glavasit të dhënë nga gjykata e qarkut të Zagrebit në vitin 2009 për të njëjtën arsye.

Gjyqi i Glavasit më pas filloi përsëri përpara gjykatës së qarkut të Zagrebit në tetor 2017 dhe vazhdon ende.