24 orë nga shpallja në kërkim, i dyshuari për vrasjen në Klinë ende në arrati

Kanë kaluar tashmë 24 orë qëkur Tush Frroku është duke u kërkuar nga organet e rendit nën dyshimin për vrasjen që ndodhi dje pasdite në një lokal në Klinë.

Ai ende nuk është kapur nga Policia dhe është ende në kërkim.

Ai po dyshohet për vrasje të rëndë.

KALLXO.com mbrëmë publikoi pamjet ekskluzive të kapura nga kamerat e sigurisë të momentit kur Frroku i armatosur hyn brenda një lokali në Klinë, shkrep armën disa herë në drejtim të viktimës dhe del nga aty.

Të tjerë të pranishëm që ishin në lokal kur panë skenën filluan të vraponin për në pjesën tjetër të lokalit.

I plagosur, viktima ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, e më pas në Spitalin e Pejës, ku edhe kishte vdekur.

Frroku dyshohet se me një veturë të një qytetari u largua drejt fshatit Kosh të Istogut prej nga është.

Policia mbrëmë nisi kërkimin e Frrokut me njësi të ndryshme.

Tutje siç raportoi KALLXO.com njësi policore u vendosën edhe në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit ndërsa u formuan edhe disa postblloqe për të mundësuar kapjen e 48-vjeçarit.

Policia rreth orës 22:00 zyrtarisht kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit për vrasjen në Klinë.