Detaje të reja për të arrestuarin – Historia e arratisjes nga Burgu i Dubravës
Të dhëna të reja ka mësuar KALLXO.com në lidhje me njërin nga të arrestuarit për grabitjen në një argjendarie në Suharekë.
Person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, e që edhe brenda sistemit korrektues kishte regjistruar probleme, një prej tyre edhe arratisjen e tij në vitin 2011, kështu përshkruhet Bujar Basha në dosjen e re që ka siguruar KALLXO.com nga burime brenda sistemit të sigurisë.
Dosjen të cilat ka siguruar KALLXO.com përmendet edhe një arratisje e Bujar Bashës nga Burgu i Dubravës.
Basha ishte arratisur pasi kishte vuajtur dënim prej 9 vitesh.
Ai në vitin 2002 ishte dënuar me 15 vite e 10 muaj burg. Nga ky dënim kishte mbajtur 9 vite e më pas kishte kryer arratisjen.
Basha është i njohur për sistemin e drejtësisë tash e 22 vite. Basha një person 44-vjeçar aktualisht, u përballë me sistemin e drejtësisë në dhjetor të vitit 2001 fillimisht.
Në atë kohë në bazë të të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, përgjatë kohës dhjetor 2001-janar 2002, 14 ditë ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale të grabitjes.
Ai ishte kapur sërish për grabitje dhe ishte dënuar me 5 vite e 2 muaj në vitin 2018. Dosja flet se ai ishte dënuar nga Gjykata, ishte dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, e më pas ishte transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz për shkak të rrezikshmërisë së tij.
44-vjeçarit në total I ishin shqiptuar dënime prej 21 viteve, prej të cilave ka mbajtur dënim në burgjet e Kosovës 14 vite, 2 muaj e 14 ditë ndërsa ishte në arrati për 7 vite.
Basha është liruar në shtator të këtij viti nga dënimi i fundit të cilit I ishte shqiptuar në vitin 2018. Më saktësisht ai u lirua më 14 shtator 2023.
Basha është njëri nga të arrestuarit për grabitjen e armatosur në argjendarinë në Suharekë.