Foto: Facebook

Biznesi Ankohet në Gjyqësorin

Numri i madh i kontesteve biznesore, stërzgjatja e tyre në gjykata, procedurat e zgjatura për hapjen e një biznesi në Kosovë, problemet me furnizim me rrymë dhe përpjekjet për arritjen e qëllimeve afatgjata në biznes ishin temat që u trajtuan në mbledhjen e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE).

Së bashku me Bankën Botërore në Kosovë, Këshilli paraqiti Raportin e progresit për zbatimin e reformave të të bërit biznes.

Me këtë rast, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për sfidat por edhe për të arriturat e vitit të kaluar.

Duke folur në cilësinë e koordinatores së KKZHE-së, ministrja Bajrami theksoi se me qëllim të thjeshtëzimit të procedurave për investime dhe përmirësim të ambientit të të bërit biznes janë ndërmarrë veprime substanciale, ndër të cilat përmendi Projektligjin për Investime Strategjike që është miratuar nga Qeveria dhe tashmë pret aprovimin në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, ajo përmendi se në janar të këtij viti është aprovuar nga Qeveria e Kosovës edhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim, që paraqet dokumentin bazë për orientimet strategjike të Republikës së Kosovës gjatë 5 viteve të ardhshme.

“Ky Këshill është shndërruar në forum të rëndësishëm të dialogut publiko-privat, të institucioneve qendrore dhe komunitetit të biznesit. Gjatë katër mbledhjeve të mbajtura gjatë vitit 2015, ky Këshill ka adresuar çështje dhe tema të rëndësishme të biznesit dhe kemi rekomanduar masa për institucionet e Republikës së Kosovës, për të krijuar politika të favorshme dhe lehtësira për biznesin”, theksoi ministrja.

Ndërsa, përfaqësuesi nga Banka Botërore, Ernesto Franco-Temple, tha se në raportet e fundit Kosova ka bërë progres në aspektin e të bërit biznes, por theksoi se mungon mekanizmi i sigurisë së cilësisë dhe duhet të ketë zotim dhe lidership nga niveli i lartë për zgjidhjen e pengesave të të bërit biznes.

Ai gjithashtu tha se Kosova ka stagnuar që investitorëve dhe bizneseve t’u ofrojë furnizim të rregullt me energji elektrike, ka pasur vonesa në lëshimin e lejeve dhe përmendi edhe barriera të tjera biznesore.

Kurse, Muhamet Mustafa, kryesues i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, tha se bizneset po ballafaqohen me zgjatje të proceseve gjyqësore dhe se zgjatja e tyre po sjell deri në falimentimin e biznesit.

Ai tërhoqi vërejtjen se trajtimi i lëndëve nuk duhet të zgjas më shumë se 6 muaj. Sipas tij, aktualisht këto procese po zgjasin 2 deri në 3 vite.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor në largim, Enver Peci, tha se sistemi gjyqësor po përballet me grumbullim të rasteve. Ai tregoi se deri më tani janë 1.100 raste ose konteste biznesore.

Peci tregoi se aktualisht një gjykatës shqyrton mesatarisht 270 lëndë në vit, ndërkohë që sipas rekomandimeve një gjykatës duhet të shqyrtojë 200 lëndë.

Ndërsa, kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, u premtoi bizneseve se do të plotësohen rekomandimet dhe do të rritet numri i gjyqtarëve.

Përfaqësuesit e biznesit thanë se ankesat më të mëdha të biznesit kryesisht vijnë ndaj gjyqësorit. [interaction id=”56cb9e5f8f0287d70a63650b”]